Jeton Mehmeti, KPM

KPM obligon “Artmotion” që t’i ndërpres kanalet e “Arena-s”

Bordi i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 20.03.2024 ka marrë vendim që kanalet e “Arena-s” mos të transmetohen në operatorin kabllor “Artmotion”.

Kryetari i Bordit të KMP-së, Jeton Mehmeti tha se zyra ekzekutive do të bëjë një hetim për të parë nëse edhe operatorët e tjerë bëjnë transmetimin e ligave të huaja në kundërshtim me rregulloret e KPM-së.

“Obligohet operatori ‘Artmotion’ që t’i ndërpres kanalet e ‘Arena-s’ deri në respektim të plotë të rregulloreve të KPM-së. Zyra ekzekutive obligohet që të filloi një hetim administrativ, në fakt ndaj të gjithë operatorëve që transmetojnë liga të huaja në Kosovë në mënyrë që standardet e njëjta të aplikohen edhe ndaj operatorëve të tjerë” – ka thënë Mehmeti.

Ky propozim u miratua me 5 vota për, as abstenim dhe asnjë kundërshtim.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) vendosi më 19.03.2024 për futjen në agjendë për diskutim të letrës së dërguar nga Premier Liga, e cila lidhet me të drejtat e transmetimit të kësaj lige në Kosovë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për media, Valon Ramadani, më 13.03.2024 kishte publikuar një letër të pranuar nga liga e futbollit të Anglisë, Premier League, në të cilën mohohet se ‘Artmotion’ mund t’i transmetojë ndeshjet e saj. Ramadani kishte thënë se “transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”.