I akuzuar për shtytje në vetëvrasje të shtetasit slloven, Halit Bajraktari u shpall i pafajshëm – Foto: KALLXO.com

Shpallet i Pafajshëm i Akuzuari për Shtytje në Vetëvrasje të Shtetasit Slloven

Mirëpo, Gjykata e gjeti fajtor të akuzuarin në pikën tjetër të aktakuzës – armëmbajtje pa leje, duke e dënuar kështu me një vit burgim me kusht. Nëse i akuzuari nuk dëshiron të vuajë dënimin me burgim duhet që për një vit të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Gjykata vendosi kështu pas fjalës përfundimtare të dhënë nga prokurorja dhe mbrojtësi i të akuzuarit.

Në fjalën përfundimtare prokurorja e rastit, Besa Limani, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është arritur të dëshmohet se Halit Bajraktari ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, shtytje në vetëvrasje dhe armëmbajtje pa leje.

“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor kundër të pandehurit Halit Bajraktari, kemi ardhur në përfundim se është vërtetuar gjendja faktike se i pandehuri i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë në bazë të administrimit të provave”, deklaroi ajo.

Prokurorja po ashtu tha se kjo gjendje mund te vërtetohej edhe nga deklarata e të dëmtuarit të cilën e kishte dhënë më herët në lidhje me rastin, me ç’rast sipas prokurores shtetasi slloven B.P. kishte deklaruar se një ditë para ngjarjes ka biseduar me Halitin në lidhje me të hollat e pasi që nuk kishte marrë ndonjë përgjigje pozitive nga i akuzuari, atëherë ai ishte shqetësuar shumë dhe për këtë arsye kishte tentuar të vetëvritej.

Andaj, sipas prokurores, i akuzuari është fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet dhe kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor sipas ligjit.

Ndërsa avokati mbrojtës i Halit Bajraktarit, Ahmet Gjinovci, në fjalën e tij përfundimtare tha se sa i përket veprës penale armëmbajtje pa leje i mbrojturi i tij qysh në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar këtë vepër penale, ndonëse sipas tij në bazë të ligjit për këtë vepër penale është bërë amnistia. Prandaj avokati i propozoi Gjykatës që në lidhje me këtë vepër penale të marrë aktgjykim refuzues.

Ai kërkoi nga Gjykata që edhe për veprën penale shtytje në vetëvrasje të merrte aktgjykim refuzues pasi që sipas tij për këtë vepër penale është vërtetuar edhe nga vetë i dëmtuari i cili ka deklaruar se lëndimet i ka shkaktuar vetë dhe se askush nuk është përgjegjës për ato veprime.

Ai gjithashtu theksoi se i mbrojturi i tij me të dëmtuarin edhe tani kanë raporte shumë të mira miqësore andaj kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e tij ta lironte nga aktakuza.

http://kallxo.com/jep-deshmi-akuzuari-per-shtytje-ne-vetevrasje-te-shtetasit-slloven/

Sipas aktakuzës, Halit Bajraktari në gusht të vitit 2009 në shtëpinë e tij në fshatin Baincë të Lipjanit, e ka shtytë në vetëvrasje tani të dëmtuarin – shtetasin slloven pasi prej tij ka marrë një shumë prej 200 mijë eurove.

Në bazë të aktakuzës, Halit Bajraktari i kishte marrë këto të holla për të hapur tre lokale në të cilat do të ishte bashkëpronar me sllovenin, por kur shtetasi slloven ia ka kërkuar dokumentacionin për lokalet, e ka kuptuar se ato nuk janë hapur.

Pas kësaj, në aktakuzë thuhet se shtetasi slloven ka tentuar vetëvrasjen.

Halit Bajraktari përveç për shtytje në vetëvrasje akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve, pasi kur iu bastis shtëpia ditën kur shtetasi slloven tentoi vetëvrasjen, Policia gjeti dhe konfiskoi disa armë.

Halit Bajraktari është mbajtur në paraburgim prej 20 gushtit deri me 30 shtator 2009, e më vonë kjo masë i ishte zëvendësuar me arrest shtëpiak prej datës 30 shtator e deri me 30 tetor të vitit 2009.

http://kallxo.com/gjykimi-per-shtytje-ne-vetevrasje-te-shtetasit-slloven/