Vazhdon gjykimi për shtytje në vetëvrasje të shtetasit slloven - Foto: KALLXO.com

Jep Dëshmi i Akuzuari për Shtytje në Vetëvrasje të Shtetasit Slloven

Dëshmitarja para trupit gjykues tha se shtetasin slloven B.P. e ka njohur që nga momenti kur ai kishte shkuar në shtëpinë e tyre si mysafir pasi që ishte mik i bashkëshortit të saj, Halitit.

Mihrije Bajraktari tha se nuk është në dijeni nëse bashkëshorti i saj dhe shtetasi slloven kanë pasur ndonjë biznes apo jo.

E pyetur nga prokurorja Besa Limani se nëse bashkëshorti i saj kishte huazuar të holla nga shtetasi slloven, dëshmitarja tha se nuk ishte në dijeni për këtë punë.

“Jo unë nuk e di për këtë punë. Ai edhe sot komunikon me bashkëshortin tim. Po të jetë nevoja ai edhe sot na ndihmon. Shpeshherë Halitit ia dërgon nga 20-50 euro”, tha dëshmitarja.

Prokurorja Besa Limani e ballafaqoi dëshmitaren me një deklaratë në lidhje me rastin të dëshmitarja e kishte dhënë më herët në Polici, e në të cilën kishte deklaruar se ajo e kishte parë shtetasin slloven me duar të përgjakura.

Por dëshmitarja kategorikisht këmbënguli që ajo nuk e kishte parë personin B.P., pasi që sipas saj kur ajo kishte ardhur në shtëpi shtetasin slloven e kishin dërguar për trajtim mjekësor. Dëshmitarja po ashtu tha se asaj nuk i kujtohej të ketë dhënë ndonjëherë deklaratë në Polici.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor rreth ngjarjes u deklarua edhe i akuzuari Halit Bajraktari, me ç’rast tha se ai mbetet në tërësi pranë deklaratës së tij të dhënë në Prokurori.

Halit Bajraktari deklaroi se ai me të dëmtuarin B.P. kanë pasur raporte afariste, dhe se ata nuk i kanë pasur tre lokale së bashku. Ai tha se ata vetëm kanë planifikuar t’i hapnin tre lokalet por në realitet nuk kishin mundur ta hapnin asnjë.

I pyetur nga prokurorja Limani se pse shtetasi slloven kishte ardhur në Kosovë, i akuzuari tha se pasi që njiheshin me herët dhe ishin miq, shtetasi slloven kishte ardhur për ta vizituar.

“Për pikën e dëshirës, për të më vizituar mua, për të parë edhe familjen time ku jetoj”, deklaroi i akuzuari.

Por, prokurorja e ballafaqoi të akuzuarin me deklaratën e dhënë më herët në Prokurori, ku kishte thënë se shtetasi slloven B.P. në Kosovë kishte ardhur me qëllim që të hapte një restorant. Cila është e vërteta?, pyeti ajo.

“Herën e parë ka ardhur për pikën e qejfit e kjo që po pyetni ju ka ndodhur pas një viti. Ka pyetur a mundemi me e marrë një lokal me qira diku se e din që unë kam punuar 12  vite në Gjermani dhe e njoh punën e hotelerisë bajagi mirë”, u përgjigj i akuzuari.

Prokurorja të akuzuarin e ballafaqoi edhe me pjesë të tjera të deklaratës së tij të dhënë më herët në Prokurori me ç’rast Haliti kishte thënë se nga B.P. kishte marrë 115 deri në 120 mijë euro në periudha të ndryshme kohore.

Por i akuzuari e kundërshtoi këtë fakt duke thënë këtë shumë e ka përmendur ai kur ka thënë se 110-120 mijë euro i kemi harxhuar dhe nuk kemi mundur më bë asgjë. “Kjo shumë e parave i ka takuar B.P. dhe kjo shumë e parave nuk është e saktë pasi që ka qenë në një periudhë kohore brenda 4 viteve”, tha ai.

Haliti gjithashtu tha se ato para ata i kishin harxhuar duke shëtitur e bërë qejf se bashku me B.P.

“Të gjitha paratë i kemi harxhuar rrugëve, restoranteve, muzikave për plotësim të dëshirave tona në Shqipëri e Maqedoni”, deklaroi Halit Bajraktari.

I akuzuari gjithashtu e përmendi edhe restorantin që ai e kishte pasur më herët, por të cilin e kishte mbyllur pas dy muajsh.

“Këtë restorant e kam pasur në emrin tim. Unë e kam paguar këtë restorant në shumën 4 mijë euro për një vit. Kam qenë pronar por brenda dy muajve e kam mbyllur qëllimisht sepse aty kish pas qenë vend i pistë, restorant me shumë probleme, me punë të pista”, tha i akuzuari Bajraktari.

Halit Bajraktari deklaroi se në ditën kur kishte ndodhur ngjarja ai kishte qenë 50 metra larg nga shtëpia dhe më pas kishin ardhur dhe e kishin njoftuar anëtaret e shtëpisë se çfarë kishte ndodhur dhe se ai nuk e kishte parë B.P. pasi që vëllezërit e tij e kishin dërguar në spital shtetasin slloven.

http://kallxo.com/gjykimi-per-shtytje-ne-vetevrasje-te-shtetasit-slloven/

“Dy ditë para se me ndodhë ngjarja më ka thënë se kemi shpenzuar shumë para dhe nuk e di se kah do t’i fitojmë këto para. Me e pasë ditë që është i shqetësuar në asnjë moment nuk do ta kisha lënë vetë”, deklaroi në fund të deklaratës së tij i akuzuari për shtytje në vetëvrasje.

Sipas aktakuzës, Halit Bajraktari në gusht të vitit 2009 në shtëpinë e tij në fshatin Baincë, komuna e Lipjanit, e ka shtyrë në vetëvrasje tani të dëmtuarin B.P. pasi prej tij ka marrë një shumë prej 200 mijë eurove.

Në bazë të aktakuzës, Halit Bajraktari i kishte marrë këto të holla për të hapur tre lokale në të cilat do të ishte bashkëpronar me sllovenin, por kur shtetasi slloven ia ka kërkuar dokumentacionin për lokalet, e ka kuptuar se ato nuk janë hapur.

Pas kësaj, në aktakuzë thuhet se shtetasi slloven ka tentuar vetëvrasjen.

Halit Bajraktari përveç për shtytje në vetëvrasje, akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve, pasi kur iu bastis shtëpia ditën kur shtetasi slloven tentoi vetëvrasjen, policia gjeti dhe konfiskoi disa armë.

Halit Bajraktari është mbajtur në paraburgim prej 20 gushtit deri më 30 shtator 2009, e më vonë kjo masë i ishte zëvendësuar me arrest shtëpiak prej datës 30 shtator e deri me 30 tetor të vitit 2009.

Në seancën e radhës do të jepet fjala përfundimtare.