Mitrovicë dyshime se 19 vjeçarja vrau vetën pas problemeve me të fejuarin

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale “Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” ndaj të fejuarës së tij.

Forcat e rendit raportojnë se në orët e mbrëmjes më 8 shtator të këtij viti, kanë pranuar një informatë se në Spitalin Rajonal në Mitrovicë ishte dërguar një vajzë pa shenja jete.

Në njoftim thuhet se, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka thënë se viktima me inicialet B.Y e moshës 19 vjeçare ishte pranuar në spital pa shenja jete.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa policia ka filluar me veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, ku në cilësi të dëshmitarëve janë intervistuar disa dëshmitarë kurse rasti me udhëzim të prokurorit ishte cilësuar si ,’Vdekje e dyshuar’”- njofton Policia.

Pas hetimeve, Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Jug (NJHR) në koordinim me prokurorin, me datë 9 shtator të këtij viti, kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet L.SH, i cili siç njofton Policia është i fejuari i viktimës.

“Me datën 09.09.2022, rreth orës 21:40, si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Jug (NJHR) në koordinim me prokurorin e shtetit, hetuesit e NJHR-së kanë arrestuar personin L.SH, 19 vjeçar, duke u bazuar në dyshimet se viktima kohët e fundit kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga i dyshuari, në këtë rast i fejuari i viktimës”- konfirmon Policia.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale “Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje”.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Sipas Policisë, hetimet në lidhje me këtë rast do të vazhdojnë nga ana e hetuesve të NJHR-së në koordinim me prokurorin e shtetit.