Shpallet i pafajshëm ish- drejtori i Kllokotit për punësim të paligjshëm të punëtorëve

Mirosllav Stoliq, ish-drejtor i arsimit në komunën e Kllokotit u lirua nga akuza në Gjykatën e Gjilanit.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Islam Thaqi kryetar, Agim Ademi e Boban Aleksiq anëtar, njoftuan se në mungesë provash nuk është vërtetuar fajësia e të pandehurit për akuzën që ngarkohet.

Udhëzohet e dëmtuara Ministria e Financave, përkatêsisht që kërkesën për kompensim dëmi ta realizoi në kontest civil.

I akuzuari po ashtu u lirua edhe nga pagimi i shpenzimeve të procedurês.

“E gjitha do të bie në barrën e buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha në fund kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, përfaqësuar nga prokurori Agron Uka, i akuzuari Mirosllav Stoliq akuzohej se në cilësi të drejtorit në Departamentin për Arsim, Kulturë dhe Sport në Komunën e Kllokotit, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore dhe në kundërshtim me ligjin, ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Stoliq ka keqpërdorur autoritetin zyrtar në atë mënyrë që konkursin e shpallur më 11 mars 2014, ka pranuar në marrëdhënie pune tetë punëtorë ndihmës dhe pesë mësimdhënës në shkollën fillore “Marko Rajkoviq”, pa i përfillur procedurat e parapara me aktet ligjore. Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri gjatë vitit shkollor 2014/2015 ka paguar më tepër punëtorë ndihmës dhe mësimdhënës duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 25.000 euro.

https://kallxo.com/i-akuzuar-per-punesim-te-paligjshem-ish-drejtori-e-bera-per-ta-ulur-papunesine/

 

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në gjykatën e Apelit.