Shpallen Librat më të Shitur të Panairit

Organizatorët e Panairit të 18-të të Librit “Prishtina 2016” kanë bërë publike sot, në ditën e fundit të këtij evenimenti, se cilët ishin librat më të shitur.

Nga letërsia shqiptare si libri më i shitur është shpallur “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” i Veton Surroit, pastaj “Shkëlqim dhe tmerr” i Bekim Fehmiut dhe “Rebelimi i Lulusë” i Albatros Rexhajt.

Nga letërisa botërore librat më të kërkuar ishin “Origjinalet” i Adam Grant, “Agjentë Perandorakë” i Noel Malcolm dhe “Numri zero” i Umberto Ecos.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se të gjitha problemet që kanë pasur shtëpitë botuese dhe vizitorët gjatë panairit të sivjetshëm kanë qenë teknike.

“Të gjitha janë përmbledhë në pikën e kushteve teknike: salla e ngushtë, hapësira e ngushtë, mungesa e ajrosjes, mungesë e hapësirës për lëvizje, që përmblidhen në pjesën teknike që na kushtëzon lokali dhe ambienti”, tha ai.

Demaku tha se këto rezultate janë marrë nga pyetësorët të cilët janë shpërndarë këtë vit në panair, i cili përndryshe ka rezultuar i suksesshëm.

“Përmbajtja e mrekullueshme e panairit është bërë nga botuesit, suksesi i plotë i panairit është bërë nga lexuesit… Ne kemi qenë një lloj drugëze në mes, që kemi kryer një punë të vogël por që na doli shumë e mirë”, tha ai.

Literatura e cila ka munguar ka qenë ajo për fëmijë, të cilët kanë kërkuar libra për galaktikën dhe UFO-t.

Mirëpo, sipas Demakut, këtë hapësirë e ka mbushur libri i vogëlushit Erëdajt Sopjani.

“Ai dhe libri i tij shkonin pikërisht në vijën e asaj që po kërkojnë të rinjtë, kështu që kjo mungesë e kësaj literature është dhe këto kërkesa kanë qenë dhe kanë mbetur pa u plotësuar”, tha ai.

Edon Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku” tha se e veçantë e këtij panairi është rritja gjithnjë e më e madhe e numrit të lexuesve.

“Është e vërtetë që sistemi i ajrimit nuk është si duhet, hapësira nuk është e mjaftueshme. Jemi në një ndërtesë që pothuajse asnjëherë nuk investohet në të”, theksoi po ashtu Zeneli.

Ai tha se do të ishte e nevojshme që të ndërtohet një sallë e panaireve, e cila do të ishte afër qytetarëve dhe jo larg qytetit dhe larg lexuesit.

“Një vit është provuar që të mbahet panairi në sallën “1 Tetori” ku hapësira është më e madhe, por ka rezultuar me mungesë të njerëzve që e kanë frekuentuar dhe në mes të hapësirës dhe njerëzve prapë më të rëndësishëm janë njerëzit pasi që ne vijmë këtu për lexuesit”, tha ai.

Shoqata Botuese e Shkrimtarëve ka vlerësuar Veton Surroin si autorin më të mirë me romanin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, kurse çmimi për autoren më të mirë të huaj ka shkuar për Jennie Dorny.

Libri më i mirë me poezi është shpallur “Adamah” nga Viola Isufaj, kurse romani më i mirë është shpallur “E zezja dhe e kuqja” i Mehmet Krajës.

Çmimin për librin më të mirë në zhanrin e kritikës dhe publicistikës ka shkuar për Nehat Islamin “Një adresë në Bukuresht”, kurse autori më i mirë për fëmijë është vlerësuar të jetë Avdi Shala.

E çmimi “Miku i Panairit” i ka takuar Musa Ramadanit.

Përkthyesi më i mirë është zgjedhur Elbi Siboa, kurse si stenda më e vizituar ajo e Shtëpinë Botuese “Dituria”.

Panairi i 18-të i librit ka filluar më 6 qershor dhe është mbyllur sot.

Sipas Daut Demakut, këtë panair e kanë vizituar rreth dyzet mijë veta.

http://kallxo.com/libri-si-njohje-e-vetes-dhe-tjetrit/