Kadareja dhe vepra e tij do të jenë kryefjala e Panairit të 23-të të Librit në Prishtinë

Shkrimtari shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare dhe vepra e tij do të jenë kryefjala e Panairit të 23-të të Librit në Prishtinë, “Prishtina 2023”.

Edicioni i 23-të i këtij panairi do të mbahet nga 6 deri më 11 qershor në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.  Ndërsa mundësinë e pjesëmarrjes së Ismail Kadaresë në këtë edicion të këtij panairi e ka paralajmëruar Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Zeneli ka thënë për KALLXO.com se në kuadër të Panairit të 32-të të Librit në Prishtinë do të prezantohet edhe botimi komplet i veprës së Kadaresë nga botuesi i tij, Onufri.

“Kryefjala e Panairit në fakt është pikërisht botimi i kompletit të veprës së Kadaresë; 70 vjet krijimtari letrare, në 7 vëllime, përfshirë shkrime të pabotuara, si varianti final që kurorëzon veprën e, mbase, shkrimtarit më të madh shqiptar. Sipas botuesit, Kadare pritet të jetë i pranishëm në panair” – tha ai.

Zeneli ka thënë se  këtë edicion pritet të marrin pjesë mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më tej, ndërsa do të prezantohen mbi 2,000 botime të reja të botuara mes dy panaireve 2022-2023, me mbi 200 tituj që dalin ekskluzivisht këtë panair.

“Anash kompletit të Kadaresë, janë veprat e autorëve nga Kosova e Shqipëria si fituesi i Çmimit Kombëtar të Letërsisë, Veli Karahoda, botimi i antologjisë nga Rudolf Marku, vepra të reja të autorëve si Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Roland Gjoza, Ag Apolloni, Rita Petro, Agron Tufa, etj” – ka thënë Zeneli.

Sipas tij, do të prezantohen edhe përkthime prej klasikëve deri te autorët bashkëkohorë si Umberto Eko, Patrick Modiano, Milan Kundera, Julian Barnes, etj”- ka thënë Zeneli.

Ai ka thënë nëse në panair do të marrin pjesë dhjetëra autorë nga Kosova e Shqipëria, e më gjerë e po aq aktivitete për librin dhe rreth librit.

“Për çdo vit, gjatë panairit të librit janë dhjetëra promovime librash në Sallën e Promovimeve, dhjetëra autorë në stenda që bashkëbisedojnë dhe nënshkruajnë librat e tyre për lexuesit; takime mes përkthyesve, redaktorëve, botuesve e të gjithë profesionistëve të librit” – ka thënë Zeneli për KALLXO.com.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.