Panairi i Librit ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.
Ismail Kadare në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë - FOTO
Shkrimtari shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare po merr pjesë në edicionin e 23-të Panairit të Librit në Prishtinë.
Ai bashkë me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Elena Kadare, mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së panairit që u mbajt sot pasdite në Pallatin e Rinisë. Shkrimtari Ismail Kadare është i ftuar nderi i këtij panairi.
Kadare mbajti edhe një fjalë rasti në hapje të panairit, duke potencuar rëndësinë që ka libri për shoqërinë shqiptare.
“Ju falënderoj për këtë pritje të përzemërt. Jam shumë i nderuar që ndodhem mes jush këtu në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, kaq të rëndësishme, në ditën e librit, që për fat të keq që ne shqiptarët e kemi neglizhuar, po i jemi kthyer, shpresoj që do t’i rikthemi më fortë dhe më bukur në të ardhmen”-tha Kadare.
Përveç Kadaresë, në ceremoninë e hapjes së Panarit të Librit kanë marrë pjesë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të cilët mbajtën edhe nga një fjalë rasti.
Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij tha se Kadare është shkrimtari më i madh botëror i gjallë. Sipas tij, shqiptarët i kanë Kadaresë një borxh të madh.
“Unë për veten time për çdo vit e lexoj: ‘Përbindëshin’, ‘Kronikë në gurë’, ‘Aksidentin’ dhe ‘Pallatin e ëndërrtave’, i lexoj një herë në vit në mënyrë që të mos i marrë në dorë për çdo javë. Romanet e Kadaresë ta bëjnë të braktisësh profesionin që ke”- tha ai.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Kadare e bëri letërsinë shqipe të njohur në mbarë botën.
“Letërsisë shqipe, Ismail Kadare ia siguroi një vend të pavdekshëm në letërsinë universale të botës. Ai bëri gjithçka për Kosovën, i kushtoi vepra dhe e kërkoi lirinë tonë kudo që shkoi dhe ku do që u takua me personalitetet e njohura të botës”- tha Konjufca, duke vlerësuar edhe mbajtjen e panairit të librit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e quajti privilegj prezencën e Kadaresë në panair.
“Sot në kohën e ekraneve digjitale dhe përparimeve të shpejta teknologjike është e domosdoshme që të ritheksojmë nevojën për leximin, sidomos tek brezat e rinj. Ka diçka të veçantë përvoja e mbajtjes së një libri në dorë”- tha ai.
Ndërsa, shkrimtarja për fëmijë Dritë Ruhani tha se Kadare është frymëzim për shumë breza, ndërsa kërkoi përkushtim më të madh institucional për fëmijët.
“Shprehitë e mira krijohen qysh në fëmijëri. Dihet se po nuk i kemi lexuesit e vegjël nuk do t’ i kemi as lexuesit e rritur, e ne kemi nevojë për një popull që lexon”- tha ajo.
Pas ceremonisë së hapjes, shkrimtari Kadare ka nënshkruar librat në stendën e botuesit të tij, Shtëpisë Botuese “Onufri”. Ndër të parët që morën nënshkrimet e Kadaresë ishin edhe kryeministri Kurti dhe kreu i Prishtinës, Rama.
Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetëm i këtij panairi do të ketë në fokus veprimtarinë e Kadaresë.
Me moton “Libri triumfon” në edicionin e 23-të të Panairit të Librit “Prishtina 2023” po marrin pjesë mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më tej, ndërsa do të prezantohen mbi 2,000 botime të reja.
Gjithashtu në këtë panair do të shënohen edhe disa përvjetorë të krijuesve të njohur shqiptar dhe të huaj.
Panairi i Librit në Prishtinë organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Panairi i librit po mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Edicioni 23-të i Panairit të librit është hapur sot në mesditë dhe do të zgjasë deri më 11 qershor 2023.