Stenda e SHBK-së në Panairin e Librit në Frankfurt. Foto: SHBK,

Botuesit nga Kosova në panairin e librit në Frankfurt

Botuesit kryesor kosovarë do të marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë, që hapet sot.

Me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”, në këtë panair pritet të marrin pjesë mbi 7,500 ekspozues nga e gjithë bota.

Pjesë e këtij panairi do të jenë edhe botuesit kryesor kosovarë si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Stenda e botuesve të Kosovës,  C99, të prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) gjendet në sallën  4.0, aty ku janë edhe të prezantuar botues dhe shtetet ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj.

SHBK, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se këtë vit ky panair fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime: në gjuhë të tjera, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.

“Nën moton ‘Creatividad Desbordante’, e ftuar e nderit e këtij viti, Spanja, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do ta zbulojmë këtë vend magjepsës”- thuhet në njoftimin e SHBK-së.

Shumë prej shkrimtarëve të njohur botëror do të jenë pjesë e këtij panairi.

Sipas SHBK-së, në fundjavë në stendën e Kosovës do të mbahen promovime e orë letrare.

Stenda e SHBK-së në Panairin e Librit në Frankfurt. Foto: SHBK.
Stenda e SHBK-së në Panairin e Librit në Frankfurt. Foto: SHBK.