Kurti pret në takim Ismail Kadarenë, bashkëbisedojnë për letërsi, histori e kulturë

Diskutime për letërsinë, historinë e kulturën e popullit shqiptar kanë zhvilluar sot në një takim miqësor kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shkrimtari shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare.

Kurti i ka përmendur vëllimet që kanë qenë motivi i cili ka nxitur leximin e gjitha veprave të Kadaresë.

Gjatë bashkëbisedimit ai i kujtoi Kadaresë se si librat e tij kanë qenë kriter për t’u lexuar nga nxënësit, duke përmendur kështu veprat e famshme “Princesha Argjiro”,  “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas Kurtit është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në anën tjetër, shkrimtari Ismail Kadare ka potencuar se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale.

Tutje, për kulturën shqiptare Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vetë popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndërkaq bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare ishte bashkëshortja e tij, Helena Kadare.

Sot gjatë ditës u bë hapja e edicionit të 23-të të Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Shkrimtari shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, po merr pjesë në edicionin e 23-të  të Panairit të Librit në Prishtinë.

Ai bashkë me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Elena Kadare, mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së panairit që u mbajt sot pasdite në Pallatin e Rinisë. Shkrimtari Ismail Kadare është i ftuar nderi i këtij panairi.

Kadare mbajti edhe një fjalë rasti  në hapje të panairit, duke potencuar rëndësinë që ka libri për shoqërinë shqiptare.

Ismail Kadare në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë – FOTO