Panairi i librit në Prishtinë u rikthye pas dy vitesh mungesë. Me moton “Libri mbron mendjen” edicioni i 22-të i panairit mirëpret mbi 100 botues ndërsa do të shënohet me aktivitete të shumta.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në hapje të këtij panairi, deklaroi se ky edicion duhej të mbahej para dy vitesh por për shkak të pandemisë ishte shtyrë.

Zeneli shtoi se mbi 100 botues do të prezantojnë mijëra tituj të rinj, libra për çdo moshë, për çdo temë apo interes.

Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës ka thënë se kjo ngjarje tashmë e ka marrë epitetin të caktuar të ngjarjes të rëndësishme kulturore ku gjithë së bashku mblidhemi për ta kremtuar ditën e librit.

Ai tha se Ministria po punon për një politikë të re të kulturës ndaj lexueshmerisë.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se Panairi  i librit është ngjarje ku ndahen idetë e reja dhe ku shihen perspektivat e reja.

Panairi do të mbahet nga 7-12 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë. Shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë, do të jenë të pranishëm, ndërsa pritet të ketë  40.000 vizitorë. /RTK