Burimi facebook

Shkrimtari Agron Tufa boton studimin 'Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX'

Monografia “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”,  synon të përmbushë një njohje sa më përfaqësuese të peizazhit evropian e më gjerë në kulturat letrare përgjatë shekullit XX.

Përmes një postim në facebook, me të cilin njofton për botimin e librit, autori Agron Tufa ka shkruar se në këtë vëllim është parashtruar një variant sa më efikas i procesit dhe rrjedhave letrare të shekullit, duke u orientuar nga kriteri i kanonit dhe kodit të traditave letrare.

Evolucioni letrar është një dukuri që reflekton formacionet mbizotëruese të gjendjes shpirtërore të njeriut, vetëdijes dhe ndjeshmërisë së tij në etapa të caktuara të vendit dhe kontekstit ku realizohet një letërsi e dhënë.

Letërsia e shekullit XX është një oqean i paskajtë, në të cilin mund ta humbasësh shpejt busullën e orientimit.

“Prandaj dhe parimi i reprezantimit të peizazhit letrar që kam ndjekur në këtë libër ka synuar të zhdavarisë konfuzionin e pashmangshëm, duke bashkërenduar disa kritere”, ka shkruar autori Tufa.

Vëllimi i parë, sipas Tufës,  përfshin dy paradigmat e mëdha letraro-artistike të shekullit XX: modernizmin dhe lëvizjet e avangardës me shkollat, rrymat, drejtimet dhe përfaqësuesit e tyre kryesorë në kulturat e ndryshme nacionale të Evropës dhe Amerikës.

Autori ka paralajmëruar se do të ketë edhe dy botime të tjera po me këtë tematikë.