Fadil Kraja. Foto: Facebook/ Teatri Migjeni

Ka vdekur dramaturgu Fadil Kraja

Ka vdekur sot në moshën 91 vjeçare dramaturgu Fadil Kraja.

Lajmin për vdekjen e dramaturgut Fadil Kraja e ka bërë i ditur, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, përmes Facebook-ut.

“Dita e sotme nis me një lajm shumë të trishtueshëm! Ikona e dramaturgjisë shqiptare, Mjeshtri i Madh Fadil Kraja, është ndarë nga jeta. Është një humbje e madhe për familjen, për kolegët, për artin shkodran e shqiptar, Shkodrën e Shqipërinë”, ka shkruar Ademi.

Ndërsa, Teatri “Migjeni” i Shkodrës ka bërë të ditur se për nderë të figurës së Krajës do të mbajë nesër, më 19.11.2021, homazhe në hollin e këtij teatri.

Fadil Kraja u lind në Shkodër  më 1931. Është shkolluar në Shkodër dhe Tiranë, ku kreu studimet për Gjuhe-Letërsi.

Kraja është një prej dramaturgëve më prodhimtar të letërsisë shqipe. Është autori i mbi 50 dramave, ku më të njohurat janë: “Fisheku në pajë”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbrit”, “Djem të mbarë”, etj. Ai është autori edhe i disa përmbledhjeve me poezi dhe disa romaneve.

Përveç Shqipërisë, dramat e tij janë shfaqur në edhe në teatrot në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi.

Për kontributin e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare Kraja është nderuar me medaljet:  “Kalorësi i urdhrit së Skënderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “ Krenaria e Qytetit” të Shkodrës.