Gjykata në Pejë | Foto: KALLXO.com

Shkrepen Dy Plumba në Hyrje të Gjykatës së Pejës

Sot pasdite rreth orës 14 e 30 minuta në hyrje të objektit të Gjykatës në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë gjykata nëpërmjet një sqarimi.

“Një qytetar (babai i palës se mbrojtur) ka gjuajtur më arme zjarri, në drejtim te  palës tjetër (kryesit të dhunës ne familje),duke shkrepur dy plumba’, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata më tutje tregon se nga të shtënat nuk kishte të lënduar.

“Punëtorët  e sigurimit te gjykatës se bashku me policet te cilët ndodheshin në objekt, kanë intervenuar menjëherë dhe fatmirësisht nuk ka pasur njerëz te lënduar”, vijon sqarimi.

Gjykata shpjegon se i dyshuari për gjuajtje me armë është arrestuar dhe i është caktuar ndalimi policor.

Sipas Gjykatës në Pejë, seanca lidhur me dhunën në familje ishte caktuar pikërisht sot, kur edhe ndodhën të shtënat.

Në vitin 2015 KALLXO.com kishte shkruar për një përleshje të armatosur afër Gjykatës në Gjakovë që kishte përfunduar me një të plagosur dhe një të lënduar.