Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raportimet për të shtëna me armë, flet drejtori i Ortopedisë së QKUK-së

Të shtëna me armë por që të njëjta dyshohet se janë shkrepur larg hapësirave të Klinikës së Ortopedisë së QKUK-së, kanë alarmuar ekipet e policisë të cilët sot në mëngjes kishin rrethuar objektin ku po trajtohen disa nga të plagosurit mbrëmjen e së premtes në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Në një bisedë për KALLXO.com, drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica thotë se ka marrë informacion nga sigurimi i klinikës që drejton se për shkak te disa të shtënave që janë degjuar mbrëmë ekipet speciale të policisë kanë shkuar atje.

“Më ka tregu ekipa e sigurisë në klinikë që janë se ka pasur forca speciale të shtuara të policisë përreth. Brenda nuk ka pasur asnjë problem, ka pasur fjalë se ka pasur të shtëna brenda diku oborrit QKUK-së diku por larg”- tha Jashanica për KALLXO.com.

Ai shtoi se ekipet speciale janë larguar dhe janë policët e rendit që po bëjnë sigurimin e klinikës.

Jashanica gjithashtu tregoi se nga pesë te plagosur që kanë marrë trajtim mjekësor, tre janë liruar në shtepi e dy të tjerë janë ende në trajtim, por që janë jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje stabile.

“Një nga ta do t’i nënshtrohet intervenimit në dorë më saktësisht në bërryl dhe gjendja e tyre është e mirë”- tha ai.

Gjykata e Prishtinës u ka caktuar 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve të përfshirë në rastin e “BonVivantit’ të premten në mesnatë në Prishtinë, pasi pas të shtënave me armë vdiq një 39-vjeçar dhe shumë tjerë u lënduan.

Gjykata vendos për tre të dyshuarit e përfshirë në rastin e ‘Bon Vivantit’