Shkolla me Kulm që Pikon

Drejtori i kësaj shkolle Nexhat Rexha thotë për KALLXO.com se një pjesë e dritareve të gjimnazit janë nga koha kur ajo ishte ndërtuar.

“Një pjesë e dritareve anësore të kësaj shkolle janë që nga vitet ’70,” tregon Rexha.

Ai bën me dije se gjatë dimrit kulmi pikon.

“Lirisht mund të them që ka 13 vjet që kjo gjendje është e njëjtë sa i përket vendit ku pikon uji, por përkundër kësaj komuna nuk ka intervenuar për ta rregulluar këtë dobësi,” thotë Rexha.

Sipas tij edhe klasat nuk mund të pastrohen si duhet dhe bankat e karriget janë të vjetruara.

Drejtori i Arsimit në Kamenicë Agim Shkodra gjendjen e objektit të kësaj shkolle nuk e konsideron aq të keqe.

“Në atë shkollë është investuar në 2011, por problematika e kulmit ku pikon uji ka qenë e pazgjidhur pasi që për këtë po na duhen ekspertë me vlerësu këtë problem,” thotë Shkodra.

Edhe drejtori i shkollës Nexhat Rexha tregon se në qeverisjen e kaluar filloi investimi në këtë shkollë që sipas tij nuk përfundoi, pasi punimet mbetën në gjysmë.

“Salla e edukatës fizike ka qenë e përdorshme por nga punimet që patën nisur para 7 vjetësh nga pushteti i atëhershëm, salla ka mbetë e papërdorshme tani, pasi punimet nuk janë kryer asnjëherë,” sqaron Rexha.

Drejtori i Arsimit Agim Shkodra premton ndërhyrjen për funksionalizimin e sallës së edukatës fizike, edhe pse atij hapësira i saj nuk i duket si sallë.

“Mundësia e parë që do na jepet, ne do të investojmë për ta rivitalizuar atë sallë të edukatës fizike, edhe pse ajo më shumë ngjason me klasë,” thotë Shkodra.

Gjimnazi “Ismail Qemali” në Kamenicë që ka 13 klasë me 843 nxënës është një ndër shkollat më të mëdha në këtë komunë.