Shala: Do t'i largojmë produktet me mbishkrimin ‘Kosovo i Metohija’

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka reaguar për produktet të cilat në etiketën e tyre përmbajnë mbishkrimin  “Kosovë/o dhe Metohi”

Shala ka njoftuar se ka lëshuar një urdhëresë me të cilën ka obliguar Inspektoratin e Tregut të MTI-së që të kërkojë nga operatorët ekonomikë në Kosovë, largimin e menjëhershëm të etiketave me mbishkrim të tillë, si psh. përfaqësues – Distributor – Importues etj., për “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”.

“Njëkohësisht kam kërkuar nga Dogana e Kosovës që ta ndalojnë hyrjen në Kosovë të çfarëdo produkti në të cilin përdoret mbishkrimi i lartcekur e i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në këtë rast në raport me emërtimin zyrtar të shtetit tonë”, ka shkruar Shala në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka shtuar se janë duke punuar që “cilësia dhe mallrat në tregun e Kosovës të jenë të kontrollueshme në mënyrë që ju ta dini saktë çka po konsumoni”.