Ministrja Hajdari nuk deklarohet nëse do të jap dorëheqje pas dënimit nga Gjykata

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk ka pranuar të përgjigjet nëse do të jap dorëheqje pas dënimit nga Gjykata e Prishtinës për mosdeklarim të pasurisë.

Në konferencën vjetore, Hajdari e pyetur për këtë çështje tha që ende se ka pranuar vendimin, dhe nuk do të përgjigjet pa e parë atë.

“Unë nuk e kam marrë ende vendimin do ta marrë ta analizoj dhe kështu. Unë nuk e kam lexu vendimin dhe sot jam për raportimin për të arriturat e ministrisë, shfrytëzoj të drejtën time të mos përgjigjem pa e parë vendimin”, tha ajo.

Sipas saj, mosdeklarimi është çështje e lëshimit të kohës dhe nuk ka pasur asnjë përfitim e asnjë dëm për askënd.

“Sot jam për raportin e suksesit, por më lejoni të ju njoftoj që ky vendim, pra kjo dispozitë ka bazë vetëm elementin e faktorit kohë dhe është faktor që ka ikur pa qëllim dhe pa dashje gjatë vitit 2020 kur kishim pandeminë, përballje me krizën e pandemisë, kur kishim konfuzion në shumë raportime që ishin shtyre gjatë kohës së pandemisë dhe nuk kemi të bëjmë me asnjë përfitim, asnjë dëmtim të askujt”, theksoi ajo.

Gjykata në Prishtinë e ka gjetur fajtore ministren e Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë.

Të njëjtën gjykata e ka dënuar me 700 euro dënim me gjobë, pasi që e njëjta e kishte pranuar fajësinë.

Hajdari, kishte deklaruar se është këshilluar gabueshëm, që mundet të deklarojë pasurinë në fund të mandatit të ministrit.

“Unë duhet të ndihem në faj, meqë ka ndodhur një konfuzion, për shkak të pandemisë Covid-19, atëherë, është shtyrë afati ligjor, unë jam këshilluar që mundem të deklaroj pasurinë në fund të mandatit, kështu personalisht, fizikisht, kam shkuar vet në fund të mandatit” – ka thënë ajo në Gjykatë.

Rozeta Hajdari shpallet fajtore nga Gjykata për mosdeklarimin e pasurisë