Çmimi i vajit ushqimor, 10.03.2022/ Foto: KALLXO.com.
Ministria e Tregtisë: Jemi duke inspektuar marketet që fshehën vajin e më pas e shitën 3 euro e 49 centë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se është duke inspektuar operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të vajit, miellit e sheqerit.
Sipas Ministrisë, disa markete kanë zbrazur dje raftet e vajit duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit ndërsa sot kanë rikthyer atë dhe me çmimin 3.49 euro për litër.
“Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatën e MINT.
Ministria e Tregtisë ka thënë se nuk ka nevojë që qytetarët të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore pasi që furnizimi me këto produkte është i rregullt.
“MINT fton qytetarët e Republikës së Kosovës të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm. Qytetarët nuk kanë nevojë të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore esenciale. Furnizimi me këto produkte është i rregullt, por disa operatorë ekonomikë kanë shfrytëzuar situatën në mënyrë të egër, duke ndjellë panik te qytetarët – njëherë duke fshehur mallin e pastaj duke e rikthyer me çmim tejet të lartë”, thuhet në komunikatën e MINT.
Ministria ka ftuar qytetarët që të njoftojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes numrit të telefonit, 0800 11000 për cdo mashtrim gjatë blerjeve.
Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg