Mbledhja e sotme e Senatit të UP-së. Foto: Kallxo.com

Senatorët e UP-së Ankohen për Mbledhje të Rralla e të Ngarkuara

Anëtarët e Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë ankuar sot për numrin e madh prej 17 pikave të rendit të ditës.

Përveç volumit të madh të pikave të rendit të ditës, senatorët u ankuan edhe për vonesë në marrjen e materialeve për atë që do të diskutohet në Senat.

“Ju lutem mbani më shpesh mbledhje dhe jo të grumbullohen kështu rastet. Po ashtu qe 6 muaj nuk kemi mbajtur mbledhje Kolegjiumi i dekanëve. Ju lutem mbani më shpesh mbledhje se Universiteti i Prishtinës ka mjaft gjëra për të cilat mund të diskutojmë”, tha Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Ndërsa Senatori Avni Puka nga Fakulteti Ekonomik u ankua se ka marrë material për mbledhje të Senatit në ora 12:00 te natës dhe me vonesë.

“Kam vërejtur që rendin e ditës e marrim 3-4 ditë para mbledhjes ndërsa materialin e marrim me vonesë në ora 12:00 të natës”, tha Puka.

E rektori i UP-se, Marjan Dema pranoi se administrata e Universitit ka vërejtje në punën e tyre.

“Kemi marrë masa dhe i kemi disiplinuar”, tha rektori Dema.