FOTO: KALLXO.com

Pesë kandidatë për rektor të UP-së i propozohen Senatit nga komisioni

Pesë kandidatë për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i janë propozuar Senatit të UP-së nga komisioni për verifikimin e kandidatëve për rektor.

Listën me kandidatë e ka lexuar Qerkin Berisha kryetar i komisionit për verifikimin e kandidatëve për rektor.

Berisha shtoi se në konkurs janë paraqitur gjashtë kandidatë: Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova dhe Qerim Qerimi.

Komisioni sipas Berishës i ka shqyrtuar aplikimet dhe kanë ardhur në përfundim që të gjithë kandidatët i kanë dorëzuar dokumentet me kohë ndërkaq, njëri nga kandidatët nuk e ka plotësuar një kriter të konkursit.

Berisha ka bërë me dije se profesori Salih Salihu nuk e ka plotësuar një kriter të konkursit i cili ishte që mos të jetë kandidat në ndonjë parti politike në tri vitet e fundit.

“Pesë prej kandidatëve i kanë kaluar kriteret sa i përket kandidatit Salih Salihu komisioni ka vërejtur se kandidati ka qenë në listën e një koalicioni zgjedhor në zgjedhjet e fundit 2019. Rrjedhimisht nga data e certifikimit të zgjedhjeve të vitit 2019 deri në momentin e hapjes së konkursit kandidati nuk i ka kaluar 3 vite dhe sipas kritereve të konkursit nuk e ka kaluar këtë pikë dhe i bie që nuk e kalon. Kandidatët e tjerë konsiderojmë si komision se i plotësojnë kriteret formale të konkursit” – tha ai.

Në mbledhje e ka marr fjalën edhe Bleron Beka nënkryetar i Parlamentit Studentor i cili ka kërkuar që në rend dite në mbledhjen e Senatit të UP-së të futet kërkesa për rregullore për trajtimin e rasteve të plagjiaturës.

Beka ka kërkuar të themelohet rregullore për trajtim te rasteve anti-plagjiaturë.

Beka shtoi se rektori i ardhshëm duhet ta luftojë me çdo mjet të mundshëm plagjiaturën e jo ta mbështesë atë.

FOTO: KALLXO.com

Më pas studentët kanë vendosur edhe disa broshura në mesin e të cilave gjendeshin mbishkrime si “Jo rektor të politizuar”, “Duam sistem antiplagjiaturë”, “Duam rektor që nuk keqpërdor paranë publike”, etj.

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Gjatë kësaj mbledhjeje, Dashamir Bërxulli dekan i fakultetit Filozofik në pikën të ndryshme ka përmendur rastin kur të hënën është penguar në ligjëratë profesori Bujar Dugolli.

Bërxulli tha se është penguar puna e Dugollit dhe tha se është një gjë e pa tolerueshme.

“Kjo është një gjë e pa tolerueshme në universitete” – tha ai teksa shtoi se edhe senati duhet ta dënoj një akt të tillë.

Të hënën aktivistët e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Dibran Hoxha dhe Rron Gjinovci u arrestuan në objektin e Fakultetit Filozofik të UP-së.

Përmes një komunikate ORCA kishte thënë se aktivistët “u arrestuan pas aksionit simbolik ndaj plagjiatorëve të shpallur nga Këshilli i Etikës në Fakultetin Filozofik”.