Senati i UP-së i jep dritën e gjelbër konkursit për bashkëpunëtorë të jashtëm

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që nesër të shpallet konkursi për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm për mbajtjen e ligjëratave dhe ushtrimeve për vitin akademik 2022/23.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se këtë vit kjo procedurë është në afat më të mirë kohor sepse kandidatët e përzgjedhur do të fillojnë punën në të njëjtën kohë që nis viti akademik 2022/23.

Në këtë pikë, senatori i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli pati kritika për anëtarët e Këshillit Drejtues që vijnë nga UP-ja për ndryshimin e rregullores për të ardhurat personale.

“Është për të ardhur keq qysh KD nuk i përfill kërkesat dhe marrin rregullore për numrin e studentëve. Kemi një këshill të papërgjegjshëm që s’bën një rregullore funksionale dhe se bën konform procesit të akreditimit. Rregullorja për të ardhura personale është në kundërshtim me Ligjin dhe ata s’po përfillin kërkesat tanë veç ulen dhe i marrin 250 euro”, tha Dugolli.

Për këtë rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se në takimet e Këshillit Drejtues është diskutuar se do të ketë rishikim, por tha se në fazën që është kjo rregullore nuk pritet të ketë ndryshime.

Por, Dugolli tha se është i pakënaqur me përmbajtjen e rregullores.

“Unë s’jam i kënaqur sepse Këshilli Drejtues bënë reduktime jashtë realitetit… Prek të ardhurat personale të stafit akademik, nëse e kërkon Qeveria është normal, por pa ja kërkuar dikush këta prekin të ardhurat e stafit akademik”, tha Dugolli më tej.

Pasi s’patë diskutime të tjera për çështjen e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kritikat ishin vetëm për lektorim të konkursit, senati vendosi që të shpallet konkursi.

Në këtë mbledhje të Senatit po ashtu u miratuan edhe propozimet e Këshillit të Doktoratës për lejimin e temave të doktoratës dhe të mentorëve për disa kandidatë si dhe u miratuan punimet e doktoratës sipas raportit të Këshillit të Doktoratës.

Senati i UP-së javë më parë kishte miratuar konkursin e ri për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik.

Konkursi ishte hapur më 4 maj dhe afati për aplikim ishte deri më 18 maj.