Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

UP reagon pas kritikave për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues

Zgjedhja e 5 anëtarëve të ri të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga ana e Senatit të Universitetit, nxiti reagime në vend.

Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi morën votat në raundin e tretë të votimit për anëtarë të Këshillit Drejtues.

Reagimet ishin se KD i UP-së ‘po kapet nga politika’ dhe se personat që janë dërguar nuk kanë integritet akademik. Në reagime po ashtu u përmend edhe votimi i senatorëve studentë.

Reagime ishin nga shoqëria civile e njohës të arsimit si dhe nga Ministria e Arsimit, ndërsa UP-ja sot ka dalur me një sqarim në lidhje me këtë situatë.

“Nga procesi zgjedhor ka rezultuar një përbërje e KD-së e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik lidhur me integritetin dhe kredencialet akademike të një pjesë të kandidatëve të zgjedhur, por po ashtu edhe për faktin e një përfaqësim jo adekuat gjinor. Menaxhmenti i UP-së siguron opinionin publik se në raport me të drejtën e votimit të senatorëve studentë është tërësisht neutral dhe do të bashkëpunoj me të gjitha palët dhe autoritetet kompetente për adresimin e kësaj situate”, thuhet në reagim të UP-së.

Sipas UP-së procesi zgjedhor, në aspektin teknik, është zhvilluar sipas procedurave.

“Kontestimet fillestare janë ngritur në aspektin e të drejtës së senatorëve studentë, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij votimi, përkatësisht nëse pjesë e këtij procesi duhet të jenë senatorët studentë të cilët kanë mandat deri më 30 shtator, apo senatorët studentë të cilët e kanë shumicën në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet studentore të organizuara këtë muaj”, ka sqaruar UP.

UP ka shtuar se bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit, Besfort Krasniqi, person përgjegjës për interpretimin e rregullores së Këshillit Drejtues për zgjedhjet studentore, në proces të votimit duhej të merrnin pjesë studentët e deleguar nga Parlamenti i ri Studentor.

“Ekziston bindje e thellë në opinion dhe në mesin e njohësve të proceseve të tilla, që legaliteti i senatorëve studentë pjesëmarrës në votim është i kontestueshëm. Menaxhmenti i UP-së, ka kërkuar para mbajtjes së zgjedhjeve, një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues për funksionalizimin e komisionit statutar me qëllim të interpretimit meritor të situatës së krijuar”, thuhet me tej.

Sipas Universitetit, menaxhmenti i UP-së po ashtu, një ditë para organizimit të zgjedhjeve, ka ftuar një takim të jashtëzakonshëm të Senatit për ta diskutuar këtë çështje, edhe pse Senati nuk është instancë kompetente për dhënien e një interpretimi përkatës.

“Në pamundësi të takimit të Këshillit Drejtues, rrjedhimisht në mungesë të interpretimit nga ana e komisionit statutar, zgjedhjet për anëtar të rinj të Këshillit Drejtues janë organizuar bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit”, thotë më tej njoftimi.

KALLXO.com ka raportuar për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Këshillit Drejtues të UP-së.

Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi morën votat në rundin e tretë të votimit për anëtarë të KD-së.

Para se të fillonte mbledhja e senatit, në hyrje të Rektoratit u zhvilluan tensione nga ana e përfaqësuesve të studentëve që kanë qenë deri tani.

Mes tensionesh, zgjidhen anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së