Liviu Dragnea duke hyrë në gjykatë në Bukuresht. Foto: ctav Ganea/ Inquam Photos.

Rumani, dënohet kryetari i partisë qeverisëse

Në një vendim të formës së prerë, Gjykata e Lartë në Rumani ka dënuar kryetarin e Partisë Social Demokrate Liviu Dragnea me tre vjet e gjysmë burg për punësim të paligjshëm.

 

Gjykata e Lartë Rumune të hënën dënoi kreun e Partisë Social Demokrate Liviu Dragnea – gjithashtu kryetar i Dhomës së Deputetëve – me tre vjet e gjysmë burg për punësim të paligjshëm në Teleorman, kur ai kryesonte këshillin e qarkut në vitin 2013.

Vendimi është përfundimtar dhe u mbështet nga katër prej pesë gjyqtarëve në panel. Gjyqtarët gjithashtu lanë në fuqi dënimin e tij të shkallës së parë.

Kjo vjen pasi partia e tij doli e dyta në zgjedhjet e Parlamentit Europian të dielën, duke shkaktuar protesta dhe konflikte brenda partisë.

Në vitin 2013, Dragnea u akuzua për ndërhyrje të paligjshme për mbajtjen dhe pagesën e pagave të dy punonjësve të Drejtorive të Përgjithshme të Ndihmës Sociale dhe Mbrojtjes së Fëmijëve në Teleorman, edhe pse ai e dinte se ata punonin për organizatën Teleorman të PSD-së.

Pas dënimit, Gjykata e Lartë do të lëshojë një mandat për ekzekutimin e dënimit, i cili do të dërgohet në polici.

Dragnea pritet të dorëzohet vetë në drejtësi, ose të përballet me arrestimin në shtëpinë e tij ku ai priti dënimin.

I pyetur të dielën në mbrëmje nëse kishte frikë nga vendimi i gjykatës, udhëheqësi i PSD-së u përgjigj: “Nuk kam frikë nga asgjë. Nëse do të kisha frikë, do të isha i pashpresë. Kjo nuk ka të bëjë me frikën, por nëse gjykata do t’i bëjë ballë presioneve të paimagjinueshme, ata do të më lirojnë, sepse jam plotësisht i pafajshëm. Por nëse nuk do t’i rezistojnë presioneve të pretenduara, ata do të më dënojnë.”

Ky është vendimi i dytë përfundimtar për Dragnean. Ai mori një dënim të pezulluar në prill 2016 për abuzim pushteti në një referendum të mbajtur në vitin 2012 për shkarkimin e presidentit të atëhershëm Traian Basescu.