Albion Rrahmani gjatë një ndeshje për Rapid Bukuresht | Foto: Rapid Bukuresht

Rapid Bukuresht u reagon mediave rumune në lidhje me lajmet për Albion Rrahmanin

Sulmuesi kosovar Albion Rrahmani që nga ky sezon është pjesë e Rapidit të Bukureshtit nuk është paraqitur për të dhënë intervistë për mediat rumune pas ndeshjes së fundit.

Sipas klubit të tij, arsyeja e mos gatishmërisë së tij për t’u paraqitur për deklaratë pas ndeshjes është për shkak të problemeve shëndetësore më të cilat ai është përballur.

Ky reagim i klubit vjen pasi që mediat sportive në Rumani e kanë lidhur këtë me ndeshjen e fundit Rumani – Kosovë, e cila u përcjell me probleme të shumta për shkak të thirrjeve raciste të tifozëve prezentë në stadium javën e kaluar.

Në këtë ndeshje, të cilën Kosova e humbi 2:1, Albion Rrahmani kishte debutuar për kombëtaren.

Rapid FC përmes një komunikate ka treguar edhe arsyen se pse Rrahmani nuk ishte pjesë e intervistave të fundit të cilat mbahen pas ndeshjeve të futbollit.

“Duam të konstatojmë se mungesa e Rrahmanit nuk ka të bëjë me incidentet e ndodhura në ndeshjen e kombëtares me përfaqësuesen e Kosovës, siç spekuluan disa nga mediat sportive. Ai nuk u paraqit në për shkak të disa problemeve mjekësore, me të cilat u përball gjatë javës së fundit” – thuhet në reagimin e klubit rumun.

Menaxheri i futbollistit Rrahmani, Kastriot Telaku ka konfirmuar për KALLXO.com se arsyeja e mungesës në intervistë ishte një problem shëndetësor i futbollistit.

“Albioni me datën 13 ka pasur një ndërhyrje në dhëmbë, e cila ishte një ndërhyrje e vogël, dhe shkaku i asaj Albioni ka pasur të ënjtur gojën pak dhe s’ka mundur të flasë në intervistë, nuk ka pasur ndonjë infeksion tjetër” – tha Telaku për KALLXO.com

Me kërkesë të përfaqësuesve të klubit dhe me pëlqimin e bartësve të të drejtave televizive, Albion Rrahmani ishte zëvendësuar në intervistë nga një bashkëlojtar i tij.