Kryetari i OEK, Berat Rukiqi, Foto: Kallxo.com

Rukiqi: Liberalizimi i vizave është edhe shqetësimi im

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Haradinaj duke thënë se komenti i tij nuk kishte të bënte me kryeministrin Haradinaj dhe se bizneset dhe liberalizimi i vizave janë të lidhur ngushtë kështu që ky është edhe shqetësim i tij.

“Dy komente shumë të shkurta, e para, komenti im nuk ka pasur të bëj me kryeministrin Haradinaj, ai ka qenë me Francën dhe Holandën kështu që unë nuk kisha pritë reagim prej kryeministrit Haradinaj për shkak se nuk ka qenë fokus kryeministri Haradinaj”, ka thënë Rukiqi pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Më tej Rukiqi ka thënë se sta që do të gëzohen më së shumti edhe ata që i kanë mundësitë më të mira me i shfrytëzu nga liberalizimi i vizave janë bizneset, kështu që në kuadër të angazhimeve për bizneset është edhe liberalizimi i vizave.

“E dyta, pjesa që lidhet me liberalizimin dhe bizneset e thashë që është e lidhur ngushtë, domethënë një prej pjesëve kyçe ose një prej pengesave kyçe për zhvillimin e bizneseve është liberalizimi i vizave që do të thotë se edhe shqetësimi im është shqetësim i komunitetit të biznesit që mos të kemi vonesa por të kemi përpjekje të koordinuar që këtë 50 – 50 ta kthejmë në favor tonin dhe ta kemi liberalizimin e vizave deri në fund të vitit”, ka theksuar Rukiqi.

Deklarata e Rukiqit vjen pas komenteve të kryeministrit Ramush Haradinaj i cili gjatë hapjes së shkollës së futbollit, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se “këta që po shesin mend si ai i Odës Ekonomike, le të merret me bizneset… ai nuk e din temën më mirë se dikush prej nesh”.

“Këta që po shesin mend si ai i Odës Ekonomike le të merret me bizneset, le të vjen dhe të kërkoj çka mundem me bo me e zhvillu sektorin privat. Besoj se po hyjnë në tema që nuk e kuptojnë ku janë, pra ai nuk e din temën ma mirë se dikush prej nesh”, deklaroi Haradinaj.

Kjo përgjigje iu referuar deklaratës së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës i cili para pak ditësh në një konferencë për shtyp foli për grabitjet e bankave dhe bizneseve muajt e fundit. Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi kishte nënvizuar rastin e grabitjes së bankës TEB e cila posedon kapital francez duke thënë se kjo ndikon edhe më shumë në hezitimin e Francës për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Banka TEB ka kapital francez e normalisht që shteti francez ka arsye për me u shqetësu. Kjo ndërlidhet edhe me procese të tjera kur e dimë që Franca është njëri prej shteteve që është duke hezituar për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe jo veç duke hezituar por është edhe kundërshtare”, kishte theksuar Rukiqi.

Sipas Rukiqit, Kosova nuk ka imazh të mirë, nëse vazhdon ky trend mund të rrezikoj edhe në tërheqjen e investimeve që aktualisht janë në Kosovë por edhe në tërheqjen e investimeve të reja.