Këshilli grevist i RTP-së - Foto: KALLXO.com

RTP Shënon 73-Vjetorin e Themelimit, të Drejtat i Kërkon në Gjykatë

Këshilli grevist i Radio Televizionit të Prishtinës e ka shënuar 73 vjetorin e themelimit të këtij mediumi.

Në një konferencë për media është folur për historinë e RTP-së si dhe janë përsëritur kërkesat për kompensimin e punëtorëve, të cilët janë larguar nga puna pas luftës.

Po ashtu, këshilli grevist kërkoi kthimin e pronave të RTP-së në pronësi të saj.

Këshilli grevist ende e mban një emër të tillë për shkak se, siç thotë kryetari i tij, Qemajl Sokoli, kërkesat e grevës së vitit 2005 ende nuk janë përmbushur.

“Greva nuk është mbyllur. Përderisa nuk plotësohen kushtet tona të nënshkruara në mes të Qeverisë dhe Këshillit grevist ne jemi ende në grevë”, shprehet ai.

Megjithatë, Sokoli e pranon se greva nuk është e njëjta me atë të para 13 vitesh as me “Grevën e Flijimit” të vitit 2008.

“40 ditë kemi qenë në grevë, në grevë urie… Në bisedën që e kemi pasur me Qeverinë ne kemi thënë se grevën do ta përmbyllim kur t’i realizojmë kërkesat. Nuk është grevë klasike, por këshilli ekziston si i pranuar nga të gjithë”, tha Sokoli.
Qemajl Sokoli tha se kërkesat vazhdojnë të jenë të njëjtat me ato të grevave të mëparshme: Kthimi në punë; kompensimi për 9 vitet e shkuara; pranimi i përvojës 18 vjeçare; moslejimi I tjetërsimit të pasurisë së RTP-së dhe zgjidhja e çështjes së punëtorëve me kërkesat e tyre sociale.

Përderisa Sokoli pretendon se memorandumi i nënshkruar nga atëbotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk u zbatua, fokusi i RTP-së sot është te gjykata, ku janë mbajtur disa seanca gjyqësore.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-ne-rastin-e-padise-ndaj-rtk-se-dhe-akp-se/

Përfaqësuesit ligjorë të RTP-së kanë ushtruar padi kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Radio Televizionit të Kosovës për lirimin e pronave dhe për kompensimin e punëtorëve.

Në seancën e fundit, më 19 janar të këtij viti, gjyqtari i rastit Ylber Shurdhiqi ka dalë me ekspertët e gjeodezisë për ta konstatuar gjendjen faktike të pronave.

Megjithëse ata i kanë parë nga afër disa nga tokat dhe objektet që pretendohen nga RTP, përfaqësuesi i RTP-së thotë se nuk janë shuar të gjitha pronat.

Avokati i RTP-së, Besim Osmani, ka thënë për KALLXO.com se në krahasim me shqyrtimet e kaluara qasja e përfaqësuesit të AKP-së ka qenë konstruktive.
“Qëndrimi (i përfaqësuesit të AKP-së) ka qenë konstruktiv, kemi qenë të unifikuar në kuptimin e lirimit të paluajtshmërive të RTP-së… I cekëm qëndrimet tona në lidhje me lirimin e pronave por edhe kompensimin”, tha sot Osmani.

Ky i fundit shtoi se do të dorëzojë parashtresa në gjykatë në mënyrë që shikimi të bëhet me mjete profesionale dhe duke i identifikuar personat dhe entitetet të cilët i shfrytëzojnë ato prona.

Ndërsa, sipas procesverbalit të seancës përgatitore të gjykimit, të datës 15.11.2017, përfaqësuesi i RTK-së e ka kundërshtuar këtë qëndrim.

Avokati i televizionit publik, Naser Gjinovci, nuk e ka pranuar se RTK ka përgjegjësi në uzurpimin e pronës së RTP-së.
“RTK nuk është uzurpatore e asnjë prone sepse botërisht dihet, mirëpo autoritetet e UNMIK-ut në vitin 1999 e kanë vendosur RTK-në në këto prona. Ajo çka është dashur të sqarohet është se punëtorët e RTK-së nuk kanë hyrë me dhunë në ato objekte mirëpo UNMIK-u i ka vendosur në ato objekte”, tha Gjinovci.
Nga ana tjetër, avokati i RTP-së Alexander Borg Olivier u shpreh se pretendimet e palës së paditur janë jorelevante.

“E paditura edhe pse deklaron se nuk është uzurpator megjithatë nuk ofroi asnjë dëshmi se në çfarë mënyre i shfrytëzon pronat e paditëses. Prandaj, përderisa nuk ka ofruar prova në lidhje me këtë çështje, konsiderojmë se është shumë e qartë që e paditura ka qenë dhe është uzurpatore – prandaj eksperti gjeodet do t’I sqarojë të gjitha këto çështje”, ka thënë Olivier gjatë seancës në nëntor të vitit të kaluar.

Seanca e këtij rasti ende nuk është caktuar.

KALLXO.com mëson se ajo pritet të caktohet pas përfundimit të raportit të gjeodetëve.