Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lista e plotë e pronave të ish-Radio Televizionit të Prishtinës

Pas fillimit të likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore “Radio Televizioni i Prishtinës”, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ftuar të gjithë personat apo palët të cilët pretendojnë se kanë kërkesa kreditore ndaj ish-RTP-së.

Sipas Agjensisë Kosovare të Privatizimit, të drejtë për aplikim nga data 29 janar deri më 15 mars kanë pasur të gjithë puntorët, apo palët që ish-RTP-ja ka pasur borxhe ndaj tyre.

 “Në parim, kërkesën për likuidim e parashtron pala e cila pretendon se Ndërmarrja Shoqërore i ka mbetur borxh, pra punëtoreve paga të pa paguara, kurse palëve tjera ndonjë borxh tjetër. Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten dëshmitë lidhur me borxhin e pretenduar”, kanë thënë nga AKP për KALLXO.com

“Asetet e ish Radio Televizionit të Prishtinës nuk do të mund të kalojnë në emër të Radio Televizionit Publik të Kosovës pa u bazuar në ligj apo vendim të Qeverisë për shpronësim të këtyre aseteve”, sqarojnë nga Agjensia Kosovare e Privatizimit.

Në një përgjigje për KALLXO.com Agjensia Kosovare e Privatizimit ka bërë të ditur se aktualisht nuk kanë plane për shitjen e objekteve të  ish Radio Televizonit të Prishtinës të cilat janë duke u shfrytëzuar nga Radio Televizioni Publik i Kosovës – RTK.

 “Qëllimi kryesor i Agjencisë është shitja, transferimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve dhe aseteve në pronësi shoqërore me të cilat administron AKP. Aktualisht nuk janë në plan për shitje objektet e RTP-së, të cilat janë duke u shfrytëzuar nga RTK, sepse është kërkuar nga Qeveria që për objektet në fjalë të koordinohen veprimet bashkë me Qeverinë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së dhënë për KALLXO.com. 

Disa nga objektet që dikur ishin në kuadër të RTP-së e që  sot shfrytëzohen nga operatorë privat i nënshtrohen procedurave ligjore në kuadër të ligjit të AKP-së, që nënkupton edhe shtijen potenciale të tyre.

AKP ka njoftuar se të hyrat nga qiraja e tyre ruhen në BQK, ndërsa teprica shkon në buxhetin e Kosovës.

“Të hyrat nga qiraja ruhen në llogarinë e mirëbesimit të NSH “RTP” në Bankën Qendrore të Kosovës dhe administrohen nga AKP, përkatësisht Autoriteti i Likuidimit. Mjetet tepricë në llogarinë e ndërmarrjes apo suficiti në rastet kur ka, i bartet buxhetit të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga AKP për KALLXO.com

Më posht mund të shihni listën e aseteve të Radio Televizonit të Prishtinës.

“Likuidimi i aseteve të ndërmarrjeve shoqërore është paraparë të bëhet për ato ndërmarrje që nuk janë aktive në biznesin e vet si dhe të atyre pjesëve të pasurisë së ndërmarrjeve që kanë mbetur pas shitjes së biznesit kryesor dhe shpesh thuhet si likuidim vullnetar. AKP mund të iniciojë likuidimin e një NSH-je apo ndonjë pjese të saj, nëse mendon se procedura e tillë është në interes të kreditorëve dhe/apo pronarëve të NSH-së”.

20 përqindëshi për ish punëtorët e Radio Televizionit të Prishtinës 

 Agjensia Kosovare e Privatizimit më 18 prill 2019 kishte bërë thirrje për aplikim për 20 përqindëshin e punëtorëve të RTP-së. Afati për dorëzimin e dokumentacionit ka qenë 30 ditë nga dita e publikimit të njoftimit.

Numri total i punëtorëve të cilët kanë aplikuar ka qenë 955, ndërsa vetëm 97 punëtorë kanë plotësuar kushtet. Afati për ankesë ndaj listës fillestare ka qenë deri me 15 prill 2021.

“Fondet e 20%, në këtë fazë do t’u shpërndahen punëtorëve të kualifikueshëm nga shpronësimi i aseteve, kurse më vonë edhe nga shitja e aseteve. Sipas informatave me të cilat disponon AKP, NSh Radio Televizioni i Prishtinës (RTP) disponon me një numër të konsiderueshëm të aseteve, andaj fondet e 20% do të shpërndahen komform me shitjet potenciale që mund të realizohen në fazat e mëvonshme”, thotë AKP.

Por, në rast se Qeveria e Kosovës merr vendim për të transferuar asetet apo pronat ende të pashitura, AKP thotë se do të shpërndahen vetëm ato mjete të cilat janë në dispozicion.

Agjensia Kosovare e Privatizimit ka thënë për KALLXO.com se të drejtë për të aplikuar për 20% kanë të gjithë ish-puntorët e RTP-së dhe familjarët e ish-punëtorëve të cilët nuk munden të aplikojnë vet apo atyre që kanë vdekur.  

“Kushti i parë është që ish-punëtori të ketë pasur status punëtori në momentin e privatizimit/likuidimit/shpronësimit, cila do që ndodhë e para, në rastin e RTP-së ndërmarrja është shpronësuar më datë 09 tetor 2018; nëse ish-punëtori ka dëshmi që ka pas stazh pune jo më pak se 3 vite në ndërmarrje; që nuk ka qenë i pensionuar ose i vdekur në kohen e shpronësimit, përveç nëse ka qene dëshmor/i vrarë në kohë lufte (kjo kategori përfshihet në listë automatikisht), nëse ka dëshmi se ka qenë i diskriminuar, përkatësisht nëse është i nacionalitetit shqiptar të ketë vendimin për shkëputje të marrëdhënies së punës në vitet e 90-ta, kur edhe ndërmarrja është transformuar në RTS, dhe punëtorët në baza etnike janë përjashtuar nga puna; që ka prezantuar si dëshmi dokumente tjera si: libreza e punës; kontrata e punës; vendimi për punësim; M4”, kanë njoftuar nga AKP. 

Qemajl Sokoli nga Këshilli grevisit i ish punëtorëve të RTP-së ka thënë shkurt për KALLXO.com “kjo është lojë e AKP me punëtorët e përvuajtuar e të tradhtuar të RTP-së”.

Në vitin 1973, Radio Prishtina është transferuar në Radio Televizionin e Prishtinës, më pas në vitin 1978, “Radiotelevizioni i Prishtinës” me përgjegjësi solidare të kufizuar të organizatave bazë: Radio Prishtina, Televizioni i Prishtinës dhe Produksioni Muzikor, në vitin 1989 ka ekzistuar si “OP Radio Televizioni i Prishtinës”; në vitin 1992, Radio Televizioni i Prishtinës ishte pjesë përbërëse e Radio Televizionit Publik të Serbisë, kurse në vitin 2001 është shndërruar në NShIP “Radiotelevizioni i Prishtinës”.