Anëtarja e Bordit: Arkivi i RTP-së është jashtë kushteve elementare për ruajtje të materialeve

Anëtarja e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Shukrije Rama ka folur për gjendjen e arkivit të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP).

Ajo ka thënë se një problem në vete është edhe çështja e pronës sepse RTK nuk është trashëgimtare e pronave të RTP-së.

“Çështja e arkivit të RTP-së që ligjërisht nuk është pronë e RTK-së. Ne po flasim për pronën e RTP-së më u kthye por arkiva është çështje e ndjeshme. Do të ishte e mjerueshme nëse na del prej dore arkivi i RTK-së dhe shkon në institucion tjetër. Konsideroj që kthimi i arkivit të RTP-së nen ombrellën e RTK-së është në interes publik”- ka thënë Rama.

Anëtarja e Bordit tutje ka thënë se gjendja e arkivit të RTP-së është e rëndë dhe jashtë kushteve elementare.

“Është jashtë kushteve elementare për ruajtje të materialeve të Radio televizionit të Prishtinës. Këtu ku ruhen shiritat filmik të para 40 apo 50 viteve këto janë komplet të ndryshkura.  Ka probleme me ventilim, me tubacaione. Nëse nuk e marrim seriozisht çështjen e materialeve ne me dy këmbët po e shkelim pasurinë mediale”- ka thënë ajo.

Bordi i RTK-së ka raportuar sot punën gjashtëmujore të vitit 2022 në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Rama ka shfaqur para deputetëve disa fotografi të gjendjes së arkivit të RTP-së.

Gjendja e Arkivit të RTP-së. Fotografi e shfaqur nga anëtarja e bordit të RTK-së, Shukrije Rama. 17.10.2022