Objekti i Klinikës së Gjinekologjisë. Foto: KALLXO.com

Rrjeti i Grave Reagon rreth Lindjes pa Përkujdesje

Me anë të një komunikate, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës kërkoi nga drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë Myrvete Paçarada dhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Curr Gjocaj sqarim publik dhe transparent në lidhje me rastin e një gruaje e cila lindi foshnjën e saj pa përkujdesje mjekësore më 6 prill.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës kërkoi edhe shqiptimin e masave disiplinore ndaj atyre që kishin për detyrë të përkujdesen për shtatzënën dhe bashkëpunimin e zyrtarëve të klinikës dhe shërbimit spitalor me policinë për ta hetuar rastin.

“Foshnja e saj e posalindur ra mbi pllakat e sallës dhe pësoi gjakderdhje. Deri më tani Klinika Gjinekologjike dhe QKUK nuk kanë dhënë asnjë sqarim mbi këtë rast”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grupit të Grave.

Rrjeti kujton edhe një rast tjetër të ngjashëm të lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë në vitin 2015.

“Në mars 2015, S.K., grua shtatzënë, kishte lindur foshnjën e saj në koridorin e Klinikës Gjinekologjike si rezultat i neglizhencës dhe keqtrajtimit të stafit mjekësor”, thuhet  në reagimin e rrjetit.

Ky rrjet i grave shpreh brengosje pse gjërat nuk janë përmirësuar që nga atëherë.

Më 7 prill, një ditë pasi ndoshi rasti i lindjes në të cilin foshnja u lëndua, Zyra e Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës njoftoi se ka kërkuar sqarim për këtë rast nga menaxhmenti i Kinikës së Gjinekologjisë.

http://kallxo.com/qkuk-po-hulumton-dyshimin-per-nje-lindje-pa-perkujdesje/