Çeku për letrën e Serbisë drejtuar UEFA-s: Shtrembërim realiteti dhe gjuhë fyese

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar ndaj letrës së Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar UEFA-s,  lidhur me aktivitete ilegale  sportive që organizon kjo federatë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ministri Çeku ka thënë se Serbia po vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.

Sipas tij,  letra e Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) drejtuar Presidentit të UEFA-s, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.

“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë.Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”- ka shkruar ministri Çeku.

Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, sipas Çekut, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Ai ka shtuar shton se palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht.

“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës. ”- ka thënë Çerku. Në postimin e tij, ministri Çeku ka postuara dhe letrën e FFS-së drejtuar UEFA-së.