Rriten të Hyrat 11.4 Për Qind

Lajmi për rritjen e të hyrave buxhetore u bë i ditur me anë të një komunikate të lëshuar nga Ministria e Financave.

Këtë rritje sipas komunikatës, ministri i Financave Avdullah Hoti e tregoi derisa vizitoi sot Zyrën Rajonale të Administratës Tatimore në Gjilan, i shoqëruar nga drejtori i ATK-së Sakip Imeri.

Duke përgëzuar punëtorët e kësaj administrate, ministri Hoti paraqiti Raportin mbi Performancën e të Hyrave dhe Shpenzimeve Buxhetore për muajin janar të këtij viti, duke thënë se në janarin e sivjetmë u mblodhën 11.4 për qind mjete materiale se në janarin e vitit të kaluar.

Hoti tha se rritja e të hyrave mund të ketë ardhur si rezultat i përshkallëzimit të TVSh-së. Me pakon e re fiskale Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është 8 për qind me normë të reduktuar për disa produkte elementare dhe 18 për qind me normë standarde për produkte tjera.

“Përveç aktivitetit të shtuar ekonomik, kësaj rritjeje të të hyrave mund t’i ketë kontribuar edhe përshkallëzimi i TVSh-së, përkatësisht rritja e normës standarde të TVSh-së në 18 për qind,” tha Hoti.

Sipas Hotit të hyrat nga taksat kufitare tejkaluan pritjet nga rritja e sasisë së naftës së importuar.

“Të hyrat nga taksat kufitare gjatë muajit janar arritën në 52.3 milionë euro, apo 104.4 për qind të planifikimit për këtë muaj, ndërsa krahasuar me janarin e vitit të kaluar kjo vlerë përfaqëson një rritje prej 10.3 për qind. Rritja e të hyrave kufitare ka qenë e mbështetur nga rritja e sasisë së naftës së importuar,” tha Hoti.

Ministri tregoi edhe sa të hyra solli nafta e importuar në janar. “Vlera totale e të hyrave nga ky produkt ka rritur në 12.5 milionë euro apo 52.5 për qind e të hyrave totale nga taksa e akcizës për këtë muaj,” tha Hoti.

Ai tha se në të hyra pozitivisht ka ndikuar edhe importi i duhanit.

“Rritje të konsiderueshme, prej 6.5 për qind, kanë shënuar të hyrat nga importi i duhanit, rritje kjo e ndikuar në masë të madhe edhe nga rritja prej 3 euro e akcizës në duhan e cila ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti,” deklaroi Hoti.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri tha se edhe institucioni që drejton ka shtuar të hyrat në janar të këtij viti.

“Në muajin janar të këtij viti kemi një rritje të dukshme të të hyrave krahasuar me muajin janar të vitit paraprak, ku kemi një realizim shtesë prej 43.8 milionë euro,” tha Imeri.