Haxhi Mazrek
Romët në Mamushë kundër ndërtimit të xhamisë në varrezat e tyre - VIDEO
Disa muaj më parë banorë të Komunës së Mamushës kanë bërë kërkesë për dhënien e një parcele komunale për ndërtimin e një xhamie. Këtë kërkesë Komuna e Mamushës e kishte vënë në rend të ditës në Asamble Komunale dhe kjo kërkesë kishte marrë 14 vota pro nga 15 asamblistë sa ka kjo komunë.
Asambleja kishte caktuar lokacionin në vendin ku janë varrezat e banorëve të komunitetit rom. Kjo gjë ka frustruar banorët e këtij komuniteti. Vendimi pas votimit në asamble komunale ka shkuar në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal për vlerësimin e ligjshmërisë.
Pas shqyrtimit MAPL këtë vendim e ka çuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ka vlerësuar që vendimi i Kuvendit Komunal të Mamushës për ndërtimin e xhamisë në këtë lokacion është në kundërshtim me ligjin për planifikim hapësinor.
Haxhi Mazrek, i cili ka familjarë të varrosur në këtë vend ka thënë për KALLXO.com se nuk do të lejojnë ndërtimin e xhamisë në atë lokacion.
“Këta po duan me zor me hy në tokë, po duan ma shkurt me na përzënë, kështu po vjen puna. Ne kemi pasur 42 shtëpi më përpara e tash jemi nja 8 shtëpi qashtu diçka, pakicë po dalim, katër ose pesë djem”, ka thënë Mazrek.
Visar Shala, zyrtar për komunitete dhe kthim në Komunën e Mamushës ka thënë për KALLXO.com se vendimin për caktimin e lokacionit asambleja komunale e ka aprovuar pa organizuar asnjë dëgjim publik me banorët e komunitetit rom.
“Në kundër xhamisë nuk jemi, ne jemi kundër varrezave që janë aty, aty është problemi, mos të është keqkuptim kundër xhamisë, sepse ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për kah buxheti vetëm që të mos hyjmë në konflikt me komunitetin turk”, ka thënë Shala.
Abdulhadi Krasnic, kryetar i Komunës së Mamushës ka thënë se kjo komunë është e gatshme që të japë një lokacion tjetër për ndërtimin e xhamisë.
“Komuna e Mamushës nuk ka shumë prona komunale, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të caktohet një pronë tjetër, nëse ka nevojë ose ka edhe persona që janë të gatshëm të japin pronën e vet për ndërtimin e xhamisë”, ka thënë Krasnic.
Komuna e Mamushës ka rreth gjashtë mijë banorë, shumica e të cilëve janë me përkatësi turke, ndërsa të gjithë janë të religjionit mysliman.
Mamusha ka të ndërtuara dy xhami, ndërsa kjo që po planifikohet të ndërtohet është e treta.