Dyshohet se i regjistroi 6 persona kundërligjshëm, arrestohet zyrtari i gjendjes civile në Mamushë
Një person, zyrtar i gjendjes civile në Mamushë u arrestua nga Policia Rajonale e Prizrenit.
I arrestuari dyshohet se gjatë vitit 2023 kishte regjistruar në sistemin e gjendjes civile gjashtë persona në kundërshtim me ligjin.
“Veprimet e të dyshuarit, kanë bërë që pa qenë fare personat në Kosovë dhe pa pasur të drejtë ligjore për ta fituar shtetësinë kosovare, fillimisht i ka regjistruar e me pas ju ka mundësuar fitimin e shtetësisë”- thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia gjeti dosjen e vetëm një personi të regjistruar më 05.05.2023, kurse për personat tjerë nuk ekziston dosja thuhet në njoftim.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe është mbrojtur në heshtje.
Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Këto hetime u kryen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia rajonale e Prizrenit.
Gjatë muajit janar 2024 u morën informatat rreth dyshimeve për këtë rast.
Dëshmitë, sipas Policisë u siguruan me autorizim dhe udhëzime nga prokurori i çështjes.