Testi PISA

Rezultatet e PISA-s të Diskutohen në Parlament

“Rezultatet e pjesëmarrjes së parë të Kosovës në PISA vlerësohen si shqetësuese dhe duhet të trajtohen në mënyrë serioze,” thuhet në deklaratën e përbashkët të donatorëve.

Pjesë e komunitetit të donatorëve që reaguan janë: Zyra e BE-së në Kosovë / PPBE, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, Agjencia Austriake për Zhvillim, Ambasada e Zvicrës dhe World Learning në Kosovë.

Rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) ku Kosova u radhit ndër tre vendet më të dobëta nga 72 vendet pjesëmarrëse, u publikuan dje.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/

“Këto janë një tregues i rëndësishëm i efektivitetit të sistemit të detyrueshëm të arsimit bazik dhe një parashikues i besueshëm i edukimit të ardhshëm. Duke pasur parasysh këto rezultate të dobëta, duhet të ndërmerren veprime të forta, të menjëhershme dhe të përbashkëta,” thuhet në këtë deklaratë.

Komuniteti i donatorëve përmes kësaj deklarate thanë që presin nga MASHT-i që të sigurojë një diskutim të gjerë të rezultateve të PISA-s në qeveri dhe në parlament.

“Këto rezultate të PISA mund të shërbejnë si një hap tutje për sistemin arsimor të Kosovës: Arsimi duhet të bëhet prioritet ndërpartiak kombëtar, në mënyrë që të sigurojë punën e duhur të nxënësve të Kosovës në një treg konkurrues të punës,” thuhet në deklaratën e përbashkët të donatorëve.

Komuniteti i donatorëve në deklaratë bën thirrje që reformat në arsim të miratohen pa vonesa të mëtejshme, duke përmirësuar në këtë mënyrë transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha nivelet.

“Të gjitha parakushtet për një zbatim të suksesshëm kombëtar të kësaj reforme, të tilla si tekste shkollore të reja, trajnime të mësimdhënësve dhe udhëzues dhe materiale të mëtejshme duhet të ofrohen sa më shpejt që të jetë e mundur,” thuhet në këtë deklaratë.

Sipas tyre korrupsioni dhe nepotizmi nuk kanë vend në sistemin dhe institucionet e arsimit.

Sot në mbledhjen e qeverisë, një ditë pas daljes së rezultateve të testit PISA, ministri Arsim Bajrami e pranoi se gjendja në sektorin që drejton nuk është e mirë, ndërsa kërkoi mbështetje më të fuqishme financiare për arsimin.

Më pas Arsim Bajrami para kabinetit qeveritar prezantoi Planin Strategjik të Arsimit 2017-2021, i cili u miratua.

http://kallxo.com/bajrami-gjendja-ne-arsim-nuk-eshte-e-mire/

Në deklaratë thuhet se edhe pse është investuar në arsim rezultatet nuk po duken.

“Një shumë e mjeteve tashmë janë investuar në arsim por rezultatet kanë qenë të kufizuara. Për këtë qëllim, investimet në cilësinë e arsimit në Kosovë duhet të rriten ndërkohë që përdorimi efektiv i burimeve në dispozicion duhet të sigurohet,” kërkojnë donatorët.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri