Rehabilitimi që Pritet të Heqë Rrezikun nga Trenat

Megjithëse gjatë këtij viti pritet të nisë rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 që do të kryhet në faza nga Hani i Elezit deri në Leshak, ende nuk është caktuar kompania që do të kryejë punët rehabilituese.

Kosova ka në plan të rehabilitojë linjën e saj hekurudhore me një kredi të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Agron Thaçi, kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, ndërmarrjes që menaxhon hekurudhat, thotë për KALLXO.com se kompania për rehalilitimin e “rrugës së hekurt kosovare” do të përcaktohet në bashkëpunim me BERZH-in.

“Punimet në rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore pritet të fillojnë gjatë pjesës së parë të vitit 2017. Kompania për të kryer punimet e këtyre linjave ende nuk është kontraktuar, sepse janë duke u zhvilluar procedurat në bashkëpunim me BERZH-in, pasi këto realizohen sipas politikave dhe aprovimeve të BERZH-it”, tha Agron Thaçi.

Thaçi premtoi se sapo të kontraktohet kompania për kryerjen e punëve, Infrakosi bashkë më BERZH-in do të njoftojnë për këtë dhe për shumën më të cilën do të kryhet rehabilitimi i hekurudhës.

Për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 që nis në Han të Elezit e përfundon në Leshak të Leposaviqit dhe ka një gjatësi prej 149 kilometrash, janë planifikuar të shpenzohen 92 milionë euro.

Linja hekurudhore që do të rehabilitohet kalon nëpër disa qytete dhe fshatra të Kosovës.

Ky rehabilitim pritet ta largojë rrezikun nga trenat sidomos për qytetarët e Ferizajt, një qytet në të cilin hekurudha kalon nëpërmes.

Gafurr Ilazi nga Drejtoria e Infrastrukturës së Komunës së Ferizajt pret që rehabilitimi hekurudhën në qendër të qytetit ta fusë nën tokë.

“Me rehabilitimin e hekurudhës presim së paku të rregullohen vendkalimet në hekurudhë. Komuna e Ferizajt ka biseduar dhe ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Infrakosi që pjesa e hekurudhës që kalon nëpër qytet në një gjatësi prej 2 kilometrash të futet nën tokë”, tha Ilazi për KALLXO.com.

Edhe Zyra e Kryetarit të Ferizajt në mars të vitit të kaluar njoftoi se kjo komunë është marrë vesh me Ministrinë e Infrastrukturës që treni në qendër të Ferizajt pas rehabilitimit të qarkullojë nën tokë.

Por Zyra për Informim e Ministrisë së Infrastrukturës tha për KALLXO.com se pas rehabilitimit në Ferizaj do të garantohet siguria, pa saktësuar nëse hekurudha do të futet nën tokë.

“Rehabilitimi i linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë pritet të fillojë sipas planit në këtë fillimvit dhe në qendrën e qytetit të Ferizajt janë të parapara masat e sigurisë për zhvillimin normal të transportit hekurudhor”, tha Zyra për Informim Publik nga Ministria e Infrastrukturës.

Kjo zyrë njoftoi se është formuar njësiti për implementimin e projektit te rehabilitimit të linjës 10 hekurudhore, por në të ende nuk ka përfaqësues Departamenti i Transportit Tokësor.

Për rehabilitimin e segmentit hekurudhor Hani i Elezit-Fushë-Kosovë, sivjet është planifikuar të investohen 19 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2019 parashikohet shpenzimi i 42 milionë eurove.

Gafurr Ilazi, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, njoftoi se punët e rehabilitimit të hekurudhës në këtë qytet do të kryhen me segmente në bashkëpunim me kompaninë që do t’i kryejë ato dhe infrakosin, në mënyrë që të mos pengohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve.

Gjithashtu, Ilazi bëri të ditur se gjatë zhvillimit të punimeve do të ndërtohen vendkalime të përkohshme për të mundësuar lëvizjet papenguara të banorëve të Ferizajt gjatë kryerjes së punëve të tyre të përditshme.

Hekuridha në Ferizaj që nga ndërtimi saj ka marrë shumë jetë njerëzish.

Në vitin 2013 Gazeta Jeta në Kosovë solli rrëfimin e një qytetareje të Komunës së Ferizajt, e cila ishte rrëzuar në hekurudhë duke ngecur mes dy binarëve në kohën kur treni i kalonte përmbi.

Ajo fatmirësisht kishte shpëtuar me vetëm disa gërvishtje të vogla.

Treni i Zhvillimit dhe Vdekjes

Redaktoi: Bekim Muhaxheri