Raportime të Pakta për Dhunën në Familje

Gjyqtarët dhe prokurorët që do të merren me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, përveç dispozitave ligjore dhe të obligueshme, do te kenë edhe një doracak,  një udhëzues që përmban praktikat e unifikuara në trajtimin e  viktimave  të dhunës në familje.

Ky doracak u prezantua nga Forumi i Gjyqtareve dhe Prokuroreve të Kosovës dhe ambasada amerikane në Kosovë.

Prokurorja e shtetit dhe njëkohësisht kryetarja e Forumit të Gjyqtareve dhe Prokuroreve të Kosovës  Sevdije Morina tha se ideja për këtë doracak ka ardhur sepse janë vërejtur ndryshime në trajtim të viktimave të kësaj dhune.

“Hartimi i këtij doracaku ka dalë nga Forumi i Gruas Gjyqtare dhe Prokurore para një viti sepse është vërejtur se praktika është e ndryshme në aplikimin e dhunës në familje, se viktimat nuk trajtohen njëjtë, kështu që për hir të trajtimit të barabartë të rasteve, por edhe viktimave që t’u jepet një status i barabartë, të hartojnë një doracak, një manual, një udhëzues praktik për zbatimin e ligjit nga dhuna në familje.

Morina deklaroi se pak raste të dhunës në familje raportohen.

“Sfida kryesore është raportimi i pakët, tjetra është raportimi, por tërheqja në ndërkohë gjatë procedurës, ose ndryshimi i deklaratave. Kemi të bëjmë me një parcializim të procedurave sepse urdhri mbrojtës lëshohet në procedurë civile dhe shpeshherë prokurori nuk ka dijeni se ka ndodhur një rast i dhunës në familje,” tha Morina.

Ajo bëri të ditur se doracaku do t’u ndihmojë zbatuesve të ligjit.

“Ky nuk është ligj, nuk është i detyrueshëm, por është një udhëzues që do të lehtësojë, është një rrugë e shtruar që do të lehtësojë punën gjithë zbatuesve të ligjit përfshirë prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Morina.

Sipas saj korniza ligjore aktuale, duke filluar nga Kodi Penal i Kosovës e tutje, është një legjislacion mjaft i avancuar për luftimin e dukurisë së dhunës në familje.

Morina tha se Kodi Penal i Kosovës, ndonëse nuk e parasheh si vepër të veçantë dhunën në familje parasheh rrethana rënduese për kryesit që kryejnë vepra penale kundër anëtarëve të familjes.