Takimi i kryeministrave në Durrës

Ramush Haradinaj: I kemi kufijtë, nuk ka nevojë për kreativitet të ri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot në Durrës se Kosova i ka kufijtë e vet me të gjitha shtetet fqinje dhe si të tillë i respekton.

Duke folur para gazetarëve në një takim joformal me kryeministrat e rajonit, Haradinaj la të kuptohet se nuk e mbështet idenë e “korrigjimit të kufijve” të iniciuar së fundmi nga Presidenti Hashim Thaçi kur tha se “nuk ka nevojë” për kreativitet të ri rreth kufijve

“Kosova i ka kufijtë e vet me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ne i respektojmë kufijtë tanë dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri. I respektojmë kufijtë që i kemi”, tha Haradinaj gjatë prezantimit para gazetarëve.

Në këtë takim në Durrës, bashkëbiseduesit kanë folur kryesish për çështje ekonomike dhe rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Kemi diskutuar për integrimin ekonomik, atë që është realizuar deri më tani. Gjatë vitit të kaluar janë hapur vende të reja pune dhe për herë të parë, tregtia me vendet e rajonit është rritur shumë. Kjo tregon për potencialin ende të pranishëm në rajon dhe që ne presim të shfrytëzohet”, tha Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.

Por Haradinaj, i cili u prezantua nga kryeministri shqiptar, Edi Rama si “bashkë zot shtëpie” u ankua për pamundësinë e lëvizjes së lirë të kosovarëve dhe bizneseve të tyre.

“Pamundësia e lëvizjes së lirë për kosovarët e bën më të vështirë jetën tonë ekonomike”, tha Haradinaj.