Ramiz Kelmendi nuk paraqitet në gjykimin për vjedhje të rrymës

Seanca gjyqësore në gjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, i cili akuzohet për vjedhje të rrymës, ka dështuar për shkak se ai nuk është paraqitur në Gjykatë.

Arsyeja e mungesës së të akuzuarit u tha të jetë gjendja e tij jo e mirë shëndetësore.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Rrustem Begolli, i akuzuari Ramiz Kelmendi përmes përfaqësueses së ndërmarrjes “ELKOS GROUP” me anë të një parashtrese ditë më parë e ka njoftuar Gjykatën se për shkak se do t’i nënshtrohet një intervenimi shëndetësor nuk do të mund të jetë i pranishëm në Gjykatë, prandaj ka kërkuar që seanca të shtyhej për një datë tjetër.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore seanca është shtyrë për një datë tjetër.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Kelmendit me pretendimin se i njëjti i ka shkaktuar dëm KEK-ut në shumën prej 22 mijë euro duke vjedhur rrymën.

https://kallxo.com/prokuroria-ramiz-kelmendi-shkaktoi-22-mije-euro-dem-kek-ut/

Në janar të këtij viti, Ramiz Kelmendi për KALLXO.com kishte kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria me pretendimin se në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ai nuk ka pasur përgjegjësi ndaj kompanisë.

Sipas kësaj aktakuze, Kelmendi me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme nga data e pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë-Kosovë, e cila është pronë e tij, i kanë shkaktuar dëm KEK- ut në vlerë prej 22.801.19 euro.

Kjo pasi që, sipas Prokurorisë, gjatë një kontrolle të bërë në kompaninë “Elkos” nga punëtorët e KEK-ut, kanë vërejtur se Kelmendi me qëllim të vjedhjes e ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.

Në aktakuzë më tej sqarohet se deri tek ky konkludim nga punëtorët e KEK-ut ka ardhur pasi që janë gjetur dy transformatorë të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, derisa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Si rrjedhojë, Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve dy të tretat (2/3) e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç‘rast edhe e akuzon Kelmendin me veprën penale të vjedhjes së rëndë.