Foto: KEDS

Për një javë kapen 162 raste të vjedhjes së rrymës

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se për një javë janë kapur 162 raste të vjedhjes së rrymës.

Sipas njoftimit, kontrollet janë bërë nga data 27 shkurt deri më 5 mars 2023.

Në këtë periudhë janë bërë 2 mijë e 157 kontrolle, nga të cilat janë kapur 162 raste të keqpërdorimit të energjisë elektrike.

Që nga fillimi i sezonit dimëror, Ministria e Ekonomisë vazhdimisht ka publikuar të dhënat e kontrolleve dhe keqpërdorimeve të ndaluara.

Gjatë vitit 2022, Ministria e Ekonomisë kishte thënë se humbjet komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm në vitin 2021 arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë një muaj për t’i mbuluar ato.

Ministria e Ekonomisë më herët kishte thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike në vitin 2021 ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq në vitin 2022 parashihej që të arrinte në vlerën prej 99 milionë eurosh.