Foto: KEDS

KEDS në ofensivë kundër vjedhjes së rrymës, rreth 100 mijë kontrolle në vitin 2023

Kompania për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë, KEDS Sh.A.,  ka njoftuar se në vitin 2023, u realizuan rreth 100 mijë kontrolle për keqpërdoruesit e energjisë elektrike.

“Përgjatë tërë vitit 2023, në tërë Kosovën, në baza ditore janë angazhuar rreth njëqind punëtorë, të cilët kanë kryer mesatarisht 400 kontrolle në ditë. Për periudhën janar-dhjetor 2023 janë bërë gati 100 mijë kontrolle”- thuhet në njoftim.

Pajisje moderne teknologjike anti-vjedhje, të përcjella me një përkushtim të madh të ekipeve të kontrollit të KEDS-it janë aplikuar dhe po vazhdojnë të aplikohen me të madhe kundër keqpërdorimit të energjisë elektrike, ka njoftuar KEDS.

KEDS thotë se vazhdon të mbetet prioritet i rëndësishëm luftimi i keqpërdorimit të energjisë elektrike, me qëllim të minimizimit të humbjeve në rrjet.

Sipas KEDS-it vjedhja e energjisë elektrike nga konsumatorë të papërgjegjshëm, nuk është vetëm një akt i shëmtuar moral, por po afekton edhe ngarkesë të madhe në rrjetin elektroenergjetik. Mbi të gjitha, mbart rreziqe të mëdha për vetë keqpërdoruesin.

Përmes fushatës së vazhdueshme, “Rryma t’kushton ma lirë”, KEDS ka informuar të gjithë konsumatorët për pasojat që mund t’i ketë kushdo që mëton të keqpërdorë energjinë elektrike vazhdon më tej njoftimi i KEDS-it.