Konferenca e KDI-se per qasje ne dokumente publike - FOTO KALLXO

Qytetarët nuk e shfrytëzojnë të drejtën për qasje në dokumente publike

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë diskutimi me temë “Mbrojtja e të dhënave personale dhe Qasja në dokumente publike”. Gjatë aktivitetit u diskutua për kufizimin e qasjes në dokumente publike dhe se sa janë të mbrojtura të dhënat personale.

Albert Krasniqi nga KDI, tha se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me kushtetutë përfshijnë të drejtën në qasje nw dokumentet publike por dhe të drejtën e privatësisë.

“Ka pasur edhe beteja ligjore, padi, të cilat janë ngritur ndaj institucioneve, ku ne i kemi trajtuar 4 prej tyre, edhe pse në fund është përfunduar në favor të tyre, prapë qasja nuk është garantuar dhe gjoba në seksione, të cilat nuk i kanë plotësuar ligjet në fuqi”, tha Krasniqi.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Shqipe Pantina, në këtë temë diskutimi tha se për të është shumë e vështirë të flasë nga këndi i deputetes për këtë çështje, për të cilën ajo ka vetëm kritika dhe se kjo ua vështirëson më shumë pasi që puna e Kuvendit është kolektive dhe jo individuale.

Patina po ashtu shtoi se është e zhgënjyer me pjesëmarrjen e OJQ-ve në dëgjime publike.

Jam e zhgënjyer me pjesëmarrjen me OJQ-ve nëpër dëgjime publike që i bëjnë komisionet. Dhe ju po ashtu do të jeni të zhgënjyer kur t’i shihni amendamentet të cilat janë hartuar. Jo çdo herë ka bazë me kritiku deputetët sepse jo të gjithë janë profesionist të fushës, prandaj bëhen dëgjimet publike për të marrë vërejtje nga profesionistët e çështjes”, tha Patina.

Ndërsa sipas, Valbona Puka – Gola, nga Institucioni i Avokatit të Popullit, tha se ka pasur gjithmonë vërejtje lidhur me mundësinë e kapaciteteve ekzekutuese dhe ndonjëherë zëri i Avokatit të Popullit nuk ka mundur të arrihet plotësisht.

“Ne kemi qenë të njohur me projektligjet për mbrojtjen e të dhënave dhe qasjen në dokumente zyrtare, por a ka pasur ndonjë ndryshim që nga faza që ne kemi qenë të informuar dhe Avokati i Popullit ka pasur vërejtje lidhur me mungesën e kapaciteteve ekzekutive të veta”, tha Puka.

Së fundmi Institucioni i Avokatit të Popullit në një raport, del se vetëm 2% e të gjitha rasteve që i ka trajtuar ky institucion kanë të bëjnë me qasjen në dokumente publike dhe që është vlerësuar si dekurajues për qytetarët, për shkak të zvarritjes së procedurave.

Puka shtoi se institucionet të cilat refuzojnë përgjigje për qasjen në dokumente, asnjëherë nuk bëjnë një analizë se pse është refuzuar ajo kërkesë, por arsyetohen dhe bazohen në nenin 12 të Ligjit të qasjes së dokumenteve publike.

Ndërsa, Bujar Sadiku nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se si Agjenci kanë të drejtë nëse nuk respektohet e drejta për informim dhe qasje, mund të krijojnë gjobë për institucionin.

Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit në Republikën e Kosovës.