Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Qeveria nis hapat për hartimin e ligjit për veten

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi formimin e Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhje tha se Ligji për Qeverinë do të caktojë numrin e ministrave dhe ministrive.

“Ligji që do të caktojë numrin e ministrave, zëvendësministrave, ministrive. Të paktën kur të formohet qeveria në të ardhmen të ketë kornizë, definime të qarta”, tha Haradinaj.

Zëvendësi i Haradinajt, Enver Hoxhaj kërkoi studim të mirëfilltë që Ligji për Qeverinë të jetë funksional.

“Paraprakisht duhet te kemi një studim të mirëfilltë, edhe të administratës, cila ministri me cilën mund të bahskohet, e gjana të tilla që ta bëjmë ligjin sa më funksional”, tha Hoxhaj.

Mahir Yagcilar, ministri i Administrats Publike kërkoi që Ligji për Qeverinë të mos merret vetëm me numrat.

“Kisha me propozu të mos ngarkohemi vetem me numrat. Duhet të kemi fleksibilitet, por me rregulla të qarta”, tha Yagcilar.

Pastaj kabineti qeveritar miratoi formimin e Komisionit për Hartimit e Projektligjit për Qeverinë.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është kritikuar për numrin e madh të zëvendësministrave.

Shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova në fillim të majit porositi institucionet kosovare që të investojnë në arsim, e jo në pagat e zëvendësministrave.