Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë. Foto: Facebook

Qeveria Kundër Barnave të Shtrenjta

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se ai nuk ka nënshkruar asnjë kontratë për blerjen e barërave me çmim më të shtrenjtë.

Ai thotë se e ka parandaluar procedimin e kësaj kontrate.

“Dua t’ju njoftoj se kam thirrur Agjencinë Kundër Korrupsionit, Autoritetin e Konkurrencës dhe dëshiroj t’ju njoftoj se do të bëj çmos që ne ta ndalim njëherë e përgjithmonë këtë dukuri e cila pasuron disa njerëz por në anën tjetër na merr neve buxhetin që e kemi ndarë për barëra për pacientët”, tha ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Këtë e ka mbështetur edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, cili kërkoi të ndërpritet kjo logjikë, që barërat të blihen me çmim dyfish të tregut.

Ai ka garantuar mbështetje në lidhje me këtë çështje.

Haradinaj ka shtuar se ka parë që prodhues vendor të barërave kanë arritur të plasojnë mallin e tyre edhe jashtë Kosovës, por këtu e kanë problem ta shesin.

“Në Kosovë ka prodhues vendorë që shesin ilaçe në krejt botën, e nuk arrijnë me shitë ilaçe në Kosovë. Vërtetë e do një kujdes kjo. Ai deklarimi mall vendor ose konsumo mall vendor, nëse një mall i Kosovës mund të arrijë në tregun gjerman, atëherë s’ka kuptim që ai mall mos me qenë i përdorshëm edhe këtu edhe shumë e habitshme kjo”, tha Kryeministri Haradinaj.