Qeveria ia kishte dhënë 658 mijë euro gjimnazit ku vijon mësimet djali i Haradinajt

Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Ramush Haradinajt i kishte ndarë në total 658 mijë e 858 euro për gjimnazin Loyola, ku tani do të vijoj mësimet djali i tij.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj përmes një statusi në Facebook ka njoftuar se djali i tij do të vijoj mësimet në gjimnazin “Loyola”.

“Në ditën e parë të shkollës për këtë vit, krah Gjinit, i cili po e nisë një etapë të re të edukimit në Gjimnazin ‘Loyola’”, ka shkruar Haradinaj, teksa ka folur edhe për cilësinë e arsimit, ndonëse gjimnazi “Loyola” nuk është institucion publik i arsimit në Kosovë. Gjimnazi “Loyola” është i regjistruar si Organizatë Jo-Qeveritare.

Në mbledhjen e Qeverisë së datës 2 tetor të 2018, Qeveria e Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Arsimit i’a kishte dhënë Gjimanzit “Loyola” këto mjete të ndara në dy kategori.

308 mijë e 858 euro u janë dhënë gjimnazit në fjalë për bërë rimbursimin e pagave për vitin 2018.

Ndërsa 350 mijë euro tjera, Qeveria e Kosovës i kishte dhënë për themelimin dhe funksionalizimin e shkollës së lartë profesionale me sistem tre vjeçar.

“Aprovohet kërkesa e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 350,000 (Treqind e pesëdhjetëmijë) euro për themelimin dhe funksionalizimin e shkollës së lartë profesionale me sistem tre vjeçar me planprogram të shkollave profesionale në Gjermani “Loyola Profesional”, thuhet në vendimin për ndarjen e 350 mijë eurove.

Vendimi i Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare për Gjimnazin “Loyola”Këto mjete ishin marrë nga Ministria e Financave, prej kategorisë së shpenzimeve, subvencioneve dhe transfereve.

Në janar të këtij viti, shteti u sfidua për gati 1 muaj nga punëtorët e arsimit, të cilët qëndruan në grevë derisa ishte marrë vendimi që përmes Ligjit të Pagave atyre të iu rritet paga.

Viti shkollor ka filluar sot në të gjitha shkollat në Kosovë.