Foto: Atdhe Mulla

Grevat në arsim barrë për prindërit në Kosovë

Herta Manxhuka, nënë e tre fëmijëve, ka një muaj që i ka përcjellë lajmet nën shpresën se do të hasë në një të atillë që kumton se fillim viti shkollor nuk do të nisë me grevë.

Por, për Hertën dhe shumë prindër të tjerë në Kosovë kjo gjë nuk ndodhi, pasi që 1 shtatori e gjeti pothuajse çdo shkollë e çerdhe publike të Kosovës në grevë.

Për këtë arsye tre fëmijët e Hertës e patën të pamundur që të shkojnë në shkollë. Këtë situatë Manxhuka e cilëson si të dëmshme për fëmijët e saj.

“Mbajtja e grevës nuk shkon në favor të fëmijëve, po mbesin mbrapa me mësim dhe kur po starton mësimi (në shkollë) po nguten ta kryejnë plan programin duke u përfshi këtu edhe mësimi plotësues ditëve të shtuna për t’i zëvendësuar orët e humbura” – shprehet ajo.

Përpos pengesave në të cilat hasin të vegjlit, ajo pohon se kjo gjendje sjell sfida edhe te prindërit pasi që njëri prej tyre detyrohet që të qëndrojë në shtëpi gjatë kohës kur prindi tjetër është jashtë.

“Edhe gjendjen e përkujdesjes se fëmijëve e ka vështiruar situata që ka sjellë greva për arsye se njeri prej prindërve duhet me qenë me fëmijët në shtëpi deri sa të fillojë mësimi” – thotë Manxhuka.

E indinjuar me këtë situatë shprehet edhe qytetarja V.G, dy fëmijët e të cilës këtë 1 shtator nuk mundën të shkojnë në shkollë.

“Shumë keq, fëmijët veç janë mbrapa me mësime për shkak të gjendjes me pandemi dy vitet e fundit, problemi është te SBASHK-u dhe keq menaxhimi i tyre” – shprehet V.G e cila thotë se tashmë ajo dhe bashkëshorti i saj janë përgatitur për ta menaxhuar përkujdesjen e fëmijëve, pasi që sipas saj situatat e tilla janë bërë pothuajse të përvjetshme.

“Çdo vit pothuajse po ndodh e njëjta situatë, edhe jemi përgatitë edhe për këtë gjendje” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

Një tjetër prind që po ka telashe nga kjo situatë është edhe Fatlinda nga Prishtina e cila ka tre fëmijë.

“Nga kjo situatë kanë mbetur tre fëmijët pa shkollë, një nga ta është në institucion parashkollor shtetëror. Ne punojmë, duhet menduar paraprakisht se si do bëhet për prindërit që nuk kanë ku t’i lejnë fëmijët” – shprehet Fatlinda e cila shpresat i ka varur te arritja e një dialogu mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK).

“Nxënësve ju ka humbur vullneti dhe durimi. Uroj të arrihet një dialog që javën e ardhshme (shkollat) të fillojnë mësimin”.

Një gjë të tillë e shpreson edhe Xhulieta Devolli e cila pohon se përpos dëmeve te fëmijët janë edhe prindërit ata që si pasojë e grevës hasin në vështirësi në punën dhe përditshmërinë e tyre.

“Unë kam një fëmijë që nuk e ka fillu sot shkollën. Natyrisht që kjo gjë shkakton vështirësi në punën time por më së shumti ndikon në mbarëvajtjen e mësimit për të gjithë fëmijët” – thotë ajo.

Sipas Devollit, kjo mënyrë e shprehjes së pakënaqësisë së mësimdhënësve po e shkatërron procesin mësimor.

“Mund të gjinden mënyra tjera të shprehjes së pakënaqësisë nga ana e mësimdhënësve, është e drejtë legjitime por jo duke shkatërruar procesin mësimor dhe arsimin ne përgjithësi” – thotë ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës për të marrë një qëndrim nga ana e tyre.

Jeton Demi, kryetar i këtij këshilli ka thënë që 1 shtatori është një ditë feste dhe kjo datë nuk duhet t’i gjejë fëmijët në shtëpi.

“Një shtatori është festë… zakonisht nuk mbahet mësim me një shtator (por) është rikthim i butë e njohës me vitin e ri shkollor. Kjo datë e simbolizon fillimin e vitit të ri shkollor, simbolizon një rrugëtim të ri, sidomos për fëmijët e klasave të para por jo vetëm. Nuk ka asnjë arsye aktuale që e justifikon hapjen e procesit mësimor dhe qëndrimin e fëmijëve në shtëpi ose rastet e disa fëmijëve që kanë qenë nëpër shkolla është dashur të kthehen në shtëpi”- ka thënë Demi për KALLXO.com.

Sipas tij, kjo situatë është e papranueshme për Këshillin e Prindërve.

“Pra, është një situatë e papranueshme për ne si Këshill i Prindërve dhe ne si përfaqësues të fëmijëve shprehim pakënaqësinë e plotë që nuk na jepet mundësia për t’i mbrojtur të drejtat tona, rrjedhimisht duhet të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të mbrojë të drejtën kushtetuese të fëmijëve për edukim dhe arsimim” – ka shtuar ai.

Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar nga 25 gushti.

Kjo grevë ishte paralajmëruar më herët nga Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK).

Ata kanë thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa Qeveria e Kosovës të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e tyre.

Në një konferencë për media, Kryetari Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli kishte thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa Qeveria e Kosovës të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e sindikalistëve.

Sipas tij, kërkesat për të cilat sindikalistët nuk janë ftuar nga Qeveria e Kosovës që të dialogojnë janë: Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga; Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të finacuara nga shteti, Ligjit nr.04/L-131, e sidomos ndryshimi I Nenit 8, paragrafit 1 e nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 të tij, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, e sipas të cilit kërkohet 15 vjet kontribut në skema pensionale para 1 janarit 1999; dhe Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën.