Greva në shkolla, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com, shtator 2022

Disa shkolla të Prishtinës në grevë, ajo e mjekësisë 'Ali Sokoli' po mban mësim

Fëmijët së bashku me prindërit e tyre kanë gjetur dyert e mbyllura të disa shkollave në kryeqytet dhe nuk kam mundur të fillojnë vitin e ri shkollor sot.

KALLXO.com ka vizituar disa nga shkollat në Prishtinë në të cilat mësimdhënësit kanë qenë në objektet shkollore duke mbajture grevë, ndërsa nxënësit dhe prindërit kanë pritur në oborret e shkollave.

Shkollat fillore “Dardania”, “Ismail Qemaili”, “Hasan Prishtina”, kopshti “Lulevera” janë në grevë.

Ndërsa, shkolla e mesme e mjekësisë “Ali Sokoli” ka filluar vitin shkollor duke zhvilluar mësimin në klasa.

Drejtori i shkollës “Ali Sokoli”, Flamur Bujupi ka konfirmuar për KALLXO.com se mësimi ka filluar sot në këtë shkollë, ndërsa nuk ka pranuar të prononcohet më tutje për këtë çështje.

Shkolla fillore “Ismail Qemaili”, Prishtinë, 1 shtator 2022, Foto: Gentiana Ahmeti KALLXO.com
Shkolla fillore “Hasan Prishtina”, Prishtinë, 1 shtator 2022, Foto: Gentiana Ahmeti KALLXO.com

Nxënësja L.H. kishte shkuar në shkollën “Dardania” në Prishtinë për të filluar klasën e gjashtë dhe për të njoftuar mësimdhënësit e saj të rinj, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të grevës që është duke u mbajtur në institucionet arsimore.

Ajo thotë se greva të përfundojë sa më shpejt dhe nxënësit të kthehen në shkollë.

“Dita e parë e shkollës, ka greva dhe nuk po e dijë se kur po fillon mësimi dhe jemi duke prit për me i marrë librat dhe me u informu me arsimtarët e rijnë dhe jemi këtu prej orës 7:30 duke pritur”- ka thënë ajo.

Ndërkaq, Mirlinda Jashari, nëna e një nxënësi ka kërkuar nga institucionet që të vendosin sa më shpejt që nxënësit të kthehen në shkollë dhe të mos mbesin pa shkollim.

“Sot në mëngjes e kam sjellë vajzën në shkollë mirëpo nuk  kanë ardh arsimtarët, as nuk kemi marrë ndonjë njoftim nga drejtorit të shkollës as nga askush tjetër prej shkollës, po ashtu edhe mbrëmë kemi shiku në faqe të shkollës nuk ka pas as edhe një njoftim më të vogël” -ka thënë Jashari.

Në anën tjetër, Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemaili”, ka treguar për grevën në këtë shkollë.

“Sot ka fillu shtatori pa prezencën e mësimdhënësve, mësimdhënësit janë në grevë, nxënësit dhe prindërit kanë ardh për me fillu procesi mësimor, por i kemi njoftu se greva vazhdon dhe në mënyrë të qetë edhe nxënësit edhe prindërit janë kthy”.

Ndërsa, Floije Gashi, edukatore në kopshtin “Lulevera” ka thënë se nga greva do të dalin pasi që kërkesat e tyre të plotësohen.

“Nuk po ndihemi mirë aspak, sepse institucioni parashkollorë ose çerdhja është vend i fëmijëve, ne jemi të thirrura me qëndru me fëmijë bashkë, e jo me qëndru për tri orë në karrige të fëmijëve”- ka thënë Gashi.

Edukatoret në grevë në kopshtin “Lulevera” në Prishtinë, Foto:KALLXO.com
Shkolla e mesme e mjekësisë “Ali Sokoli”, Prishtinë, 1 shtator 2022, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Të mërkurën, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot do të fillojë viti i ri shkollor, kurse sindikalistët kanë thënë se greva do të vazhdojë.

1 shtatori, fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Të enjten, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.

“SBASHK-u e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Murati. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Nuk e ka pru atë buxhet ai prej shtepisë të vet. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”- ka thënë Jasharaj para mediave.

Jasharaj tutje u bëri thirrje mësimdhënësve të vazhdojnë grevën dhe të mos dorëzohen.

Kurse ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se dje është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publikë, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procesimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.

“Greva e deklaruar në fund të muajit gusht ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për disa organizata buxhetore.Ne kemi bërë kërkesë nga organizata buxhetore që të përditësojnë listat por vonesa në këtë proces ka pamundësuar gjithë procedimin e pagave ditën e sotme” – tha ministri në një konferencë për media dje.