Foto: Këshilli i Prindërve i Kosovës/Facebook
Këshilli i Prindërve: Nxënësit nesër duhet të jenë në shkollë
Këshilli i Prindërve i Kosovës në mbledhjen e sotme të kryesisë, e zhvilluar në dritë të grevës që po mbahet në institucione të ndryshme, përfshirë edhe ato arsimore, ka kërkuar që nxënësit nesër të shkojnë në shkollë dhe të fillojnë mësimin.
Sipas konkluzioneve të Këshillit, fëmijët gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë.
Këshilli i Prindërve vlerëson se greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor është veprimi më ekstrem sindikal që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët dhe prindërit.
Gjithashtu, Këshilli u ka bërë thirrje sindikatave dhe Qeverisë të lëvizin nga qëndrimet aktuale dhe t’i japin mundësi dialogut.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se nesër do të fillojë viti i ri shkollor 2022/2023.
Nagavci tha se MASHTI është kordinuar me drejtoritë e arsimit nëpër komuna dhe se të gjitha shkollat janë të gatshme për të nisur mësimin.
Sot, ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se mësimi do të nisë nesër dhe u ka bërë thirrje sindikatave të mos ketë greva në institucionet arsimore.
“Unë pres dhe kërkoj që mos të ketë greva në institucionet arsimore. Ftoj punëtorët e arsimit që vendimet t’i marrin me shumë vëmendje. Fundi si mësues ju e dinik se sa është e rëndësishme marrja e vendimeve. E kam thënë edhe në vitin 2019 që mësuesit nuk e duan grevën… Askush nuk ka nevojë të ndihet i kërcënuar që pse janë në grevë, unë jam e bindur që ata e bëjnë me vullnetin e lirë dhe janë të vetëdijshëm për procedurat institucionale” – tha ajo.
Greva e përgjithshme ka nisur më 25 gusht dhe nga BSPK-ja kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga 1 shtatori.