Presidentja Vjosa Osmani pret disa nxënës në takim për 1 shtator | Foto: ZPRK

Osmani uron vitin e ri shkollor: Beteja për dije nuk përfundon kurrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar vitin e ri shkollor i cili ka filluar sot në arsimin parauniversitar në Kosovë.

Presidentja Osmani ka theksuar se beteja për dije nuk përfundon kurrë.

“Me mendje të hapura për dije dhe zemra të mbushura me emocione, nxënësit tanë po e nisin këtë vit të ri shkollor, i cili është një kapitull i ri, një mundësi për të  mësuar diçka të re, për ta sfiduar veten dhe për ta zgjeruar horizontin e dijes”- ka thënë Osmani.

Viti i ri shkollor ka nisur sot, më 1 shtator në Kosovë.

Këtë vit, tekstet shkollore janë blerë nga prindërit për dallim nga vitet paraprake që janë siguruar e shpërndarë nëpër shkolla nga Ministria e Arsimit.

Mjetet për blerjen e librave do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, e cila javën e kaluar ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për prindërit e nxënësve të klasave nga e para deri në të pestën për t’i blerë librat shkollorë.

Ky proces është përcjell nga një debat i gjerë publik.

Një ditë para fillimit të procesit mësimor Nagavci ka njoftuar se kanë përfunduar procedurat e pagesës për blerje të librave shkollorë për 81 mijë përfitues.

Ajo ka bërë të ditur se numri i tërësishëm i aplikimeve është mbi 115 mijë dhe se pjesa tjetër do të trajtohet me grupin e radhës.

Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të shtatorit.