Protesta e punëtorëve teknikë - Foto: Kallxo.com

Punëtorët Teknikë Kërkojnë 0,5 Përqindëshin e Përvojës

Dhjetëra punëtorë teknikë të shkollave fillore e të mesme si dhe të qendrave të mjekësisë familjare kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës duke kërkuar t’u paguhet 0,5 përqindëshi për përvojën e punës.

“Pse nuk e bëtë pagesën 0.5 për qind sipas marrëveshjes?” dhe “Pse punëtorëve të Komunës suaj ju paguani 0.5 për qind e neve jo, çka na dallon?” shkruante në pankartat që mbanin në duar protestuesit, të cilëve u janë bashkuar përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, tha që kjo protestë është një shenjë e vogël e pakënaqësisë, mirëpo nuk do të mbetet e tillë.

“Kjo protestë është një shprehje e pakënaqësisë, është një vërejtje shumë e vogël. Përndryshe nëse brenda javës nuk i qesin mjetet të cilat na takojnë ne normal që do ta ndalim punën dhe nuk do të funksionojnë të gjitha qendrat e mjekësisë familjare dhe të gjitha shkollat që janë të privatizuar në njëfarë forme dhe i financon Kuvendi Komunal i Prishtinës”, tha ai.

Azemi kërkoi nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës që t’ua paguajnë këtyre punëtorëve 0.5 përqindëshin në bazë të marrëveshjes së arritur në muajin shkurt.

“Ne për t’ia lehtësuar punën administratës së Kuvendit, ne si Sindikatë kemi marrë për obligim që gjithë dokumentacionin për 0.5 përqindëshin për përvojën e punëtorëve të cilin e kanë pasur nëpër kompani të ndryshme, ne e kemi kompletu dokumentacionin qysh në mars”, tha ai.

Për të biseduar me Sindikatën doli edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitija, i cili tha që qershori do të jetë muaji i fundit kur do të rregullohet kjo çështje.

“Për shkak të disa problemeve teknike nuk ka mund me fillu prej majit, mirëpo kjo është në fazën e fundit, në përfundim të të gjitha proceseve teknike administrative që lidhen më këtë çështje…ne po shpresojmë që prej qershorit veç ka me fillu që me u bë pagesa”, tha ai.

Ndërkaq, punëtorët teknikë të shkollave i dhanë afat vetëm 3 ditë drejtoreshës së Arsimit, Arbërie Nagavcit, që t’u dorëzojë një letër me shkrim, me të cilën u garanton se në pagën e majit do t’i kenë edhe pagesat e stazhit të punës.

Përndryshe, ata kërcënuan se do ta ndalin punën në të gjitha shkollat dhe qendrat e mjekësisë familjare ku punojnë.